Vetëm 24 orë pas ngjarjës së rëndë të ndodhur në qytetin e Vlorës, ku mbetën të vrarë tre persona, policia e këtij qyteti ka bërë të mundur identifikimin e autorëve dhe arrestimin e njërit prej tyre.
Bëhet fjalë për shtetasin Leo Osman, 18 vjeç, i cili ka qenë i shoqëruar nga një person tjetër në momentin e kryerjes së krimit. Ky fakt konfirmohet nga arma e krimit, e gjetur në afërsi të vendit të vrasjes, ku gjurmët e gishtërinjve nuk përkonin me të 18-vjeçarit, ndaj policia ka ngritur dyshimin se vrasja u krye nga shoku i tij, bazuar kjo edhe nga dëshmitë e marra në komisariatin e Vlorës.
Me anë të një konference për shtyp, drejtori i Policisë së Vlorës, Artan Çuku ka dhënë detaje nga hetimet, duke konfirmuar se asnjëra prej viktimave nuk ishte objekt i sulmit dhe se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti të çastit.
“Sqarojmë se, nga veprimet paraprake hetimore ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, për motive të dobëta midis autorit të dyshuar, shtetasit Leo Osmani, dhe disa shtetasve nga qyteti i Fierit. Gjithashtu sqarojmë se nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, si këqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja e viktimave nga një grup ekspertësh mjekoligjorë dhe gjithë veprimtarisë hetimore paraprake ka rezultuar se 2 prej viktimave, shtetasit Servi Bajlozi dhe Sokol Isufaj, janë goditur nga plumba rikoshetë, si dhe asnjë prej 3 viktimave nuk ishin në konflikt me autorin, as kishin njohje me personat e tjerë të përfshirë në konflikt dhe as nuk ishin objekt i sulmit kriminal. Gjithashtu bëjmë me dije se grupi hetimor ka siguruar prova të pakundërshtueshme shkencore në lidhje me autorësinë e këtij krimi, prova të cilat janë sekuestruar nga policia dhe janë të patjetërsueshme”, ka sqaruar Çuku.
Nga ana e saj, Policia e Vlorës, në bahskëpunim me repartin RENEA dhe FNSH-në e Fierit, është duke vijuar punën për arrestimin e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila tronditi qytetin bregdetar.
Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 16:00, në vendin e quajtur Kalaja, ku si pasojë e të shtënave me armë humbën jetën shtetasit Sokol Isufaj, 34 vjeç, Diana Ademi, 53 vjeç dhe Servi Bajlozi 17 vjeç.
Top Channel