Bushati, betejë edhe me deputetët

28/07/2013 19:50

Pasi sulmoi dy bashkëhartuesit e ligjit të ri të medias dhe relatorët e tij, deputetët Mark Marku dhe Alfred Dalipi, duke i cilësuar ata madje si mosnjohës të ligjit, kryetarja e Autoritetit të Medias Audiovizuale, Endira Bushati, zgjeron sulmet dhe konfliktet edhe me të tjerë deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, që i kujtojnë dhe i argumentojnë asaj shkeljen e rëndë të ligjit.

Përmes zëdhënësit, kryetarja e AMA i është kundërpërgjigjur deputetit tjetër, Taulant Balla, që një ditë më parë i mëshoi konstatimit të shkeljes së ligjit të medias nga zonja Bushati, në procesin e hapur prej saj, në kushtet e paligjshmërisë, për licencimin e rrjeteve numerike.

Ndërsa zoti Balla foli një ditë më parë për katër nene të shkelura, deklarata e AMA-s u përqendrua te miratimi i rregulloreve prej këtij institucioni.

“Për akuzën se kryetarja Bushati ka shkelur ligjin në miratimin e rregulloreve, kujtojmë se është Këshilli i Autoritetit të Medias Audiovizuale, që miraton rregulloret”.

Teksa zoti Balla bënte një tjetër vërejtje, atë se në licencimin e rrjeteve numerike zonja Bushati nuk ka marrë parasysh aktorët egzistues në proces, zëdhënësi i AMA-s, në deklaratën në emër të kryetares, i konsideroi opinionet dhe konsultimet si të paligjshme.

“Akuza e deputetit Balla, se nuk njohim realitetin dhe aktorët egzistues, ne njohim ligjin dhe jo opinione të paligjshme”.

Kryetarja e AMA-s i cilëson faktet për shkeljet e ligjit, që zoti Balla nënvizon, si presione ndaj institucionit të pavarur që ajo drejton, duke përfshirë në këtë përgjigje edhe debatet e mëhershme, që lidhin emrin e saj me abuzime financiare, të nënvizuara edhe në reagimin e deputetit socialist.

“Deklarata e Ballës për shkarkimin e kryetares dhe insinuatat për shkelje të ligjit, janë thjesht presione ndaj një institucioni të pavarur”.

Duke iu bashkangjitur edhe qëndrimeve të mëhershme të ligjvënësve, për shkeljen e ligjit nga kryetarja e AMA, Endira Bushati, deputeti Taulant Balla, në reagimin e një dite më parë, theksonte se po merren në konsideratë shqetësimet e palëve të interesuara në procesin e liçencimit të rrjeteve numerike dhe se do të përdoret çdo instrument institucional për respektimin e ligjit.

“Për çdo shkelje të ligjit 97/2013, por edhe për abuzime të tjera financiare të Endira Bushatit, më parë në KKRT dhe tashmë në AMA, do t’i drejtohemi edhe Prokurorisë. Kodi Penal është i qartë për rastet e shpërdorimit të detyrës dhe shkeljet e ligjit”, – shkruante një ditë më parë deputeti socialist.

Ai mbyllte komentin e tij, duke i kujtuar kryetares së AMA-s se, bazuar në nenet 7 dhe 10 të ligjit 97/2013, Legjislatura e re e Kuvendit ruan të drejtën e lirimit të zonjës Endira Bushati nga detyra e kryetares së AMA-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA