Moratti-Thohir, pranë marrëveshjes

27/07/2013 00:00

Bisedimet Moratti-Thohir për shit-blerjen e aksioneve të Interit kanë marrë një kthesë të papritur pasditen e së premtes.

Miliarderi indonezian ka zbritur në Milano ku është takuar me presidentin zikaltër. Në përfundim të bisedimeve, para mediave ai tha se do të rikthehet shumë shpejt në Itali dhe se tashmë kishte bërë ofertën e tij, e i takonte Moratti-t të vendoste.

Shpresoj të kthehem shpejt, tha Thohir mëngjesin e së shtunës kur la Italinë. Pyetjes së gazetarëve të interesuar se ku kishin ngecur bisedimet mes palëve dhe se cfarë pengonte arritjen e një marrëveshjeje, indoneziani iu përgjigj duke thënë se për këtë duhet të pyetet familja Moratti, për të cilën shtoi se kishte respekt.

“Kam shumë respekt për traditën e klubit dhe për familjen Moratti”, tha ai.

Sipas mediave sportive italiane, Thohir ka këmbëngulur për të blerë të paktën 65-70 për qind të aksioneve, ndërsa familjes Moratti, aq të lidhur me klubin, i ka premtuar rol aktiv në vendimmarrjen e ardhshme të klubit, nëse do të blihej prej tij.

Ndërsa vetë presidenti i Interit ka deklaruar se nuk ka arsye pse të nxitohet me mbylljen e shpejtë të marrëveshjes, ndërsa në horizont për blerjen e aksioneve të Interit është shfaqur një tjetër industrialist indonezian.

Top Channel