Ç’do të thotë kur qeverisja fillon me “takime verore”?

26/07/2013 00:00

Mustafa Nano – Duket se Edi Rama e Ilir Meta e kanë rikuperuar
“miqësinë” e dikurshme, kur nuk bënin dot pa sho-shoqin e kur formonin
tandem-in që tërhiqte karrocën e së majtës.

Pas një armiqësie që zgjati shumë e që u shpik nga Edi Rama në një betejë të padeklaruar të këtij të fundit për ta pastruar fushën nga lojtarët mistrecë e për të ndërtuar një demokraci të alternancës Rama/Berisha (Ilir Meta ia doli të mbijetonte, duke befasuar shumëkënd, ndoshta dhe veten), të dy kanë gjetur arsye për t’iu afruar sërish njëri-tjetrit e për të riformuar dyshen e dikurshme. Ka qenë Rama që ka bërë çmos që gjërat të vijnë në pikën ku janë sot. Duket se versioni i njerëzve që e kanë ndjekur hap pas hapi këtë riafrim është i saktë, s’ka gjë se i ka shpëtuar kronikës politike: “Rama i është vardisur Metës në rrethanat që ky i fundit nuk kish më besim tek ai. I është vardisur keq, i është bërë rrodhe, i ka dhënë prova luajaliteti një pas një, i ka kërkuar ndjesë, madje dhe publikisht, derisa Metës i është mbushur mendja se mund të rifillonte stina e re”.

Shkurt, gjasat janë që ata të dy të kenë kopsitur një deal të përbashkët për një bashkëpunim afatgjatë, dhe pjesë e këtij mund të jenë dhe objektiva që kanë lidhje me ambicien e tyre për të qëndruar në pushtet sa më gjatë të jetë e mundur dhe objektiva të tjerë të natyrës “impersonale, historike” (Rama ka një raport epsharak me historinë; sapo e ka thënë këtë gjë), siç mund të jetë nënshkrimi i akteve e arritjeve të pritshme në harkun e 10 viteve të ardhshme, që kanë për finale anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Në këtë histori janë të favorizuar nga gjendja në krahun tjetër, ku çdo gjë, në mënyrë gati të pabesueshme, ka mbetur në mëshirë të Sali Berishës, i cili në këtë moment tërhiqet zvarrë veç nga meraku për t’i ikur drejtësisë, tok me të vetët. Dhe drejtimin e PD-së e sheh si parzmore.

Ramës dhe Metës u intereson shumë kjo status quo në PD, u intereson shumë që opozita e nesërme të jetë e ngritur mbi këtë shqetësim, pasi në këtë mënyrë aty do të lindin se s’bën dhe fërkime nga më të ndryshmet që mund ta çojnë PD-në në zgrip të humnerës. Por edhe nëse nuk ndodh asgjë, ata të dy janë prapëseprapë ok me Berishën, i cili në opozitë, duke qenë i vetëdijshëm se shumica e shqiptarëve ia ka vënë kryqin njëherë e mirë, nuk do dijë të bëjë gjë tjetër, veçse të lërë koqen e namit me protagonizmin e vet. Ka ca që kanë frikë se ai do të synojë të bëjë trazira, por kjo është një frikë e stisur. Është një sendërgji e medias.

Berisha nuk ka fuqi të bëjë asgjë tash e tutje. Ai thjesht ka fuqi, si leader i opozitës, të përbëjë lajm. Në këtë kuptim, do ta kemi ditë për ditë e tërë ditën në ekranet e TV-ve e në faqet e gazetave, por vetëm kaq.

E gjithë kjo situatë do të jetë një karar i madh për Ramën e Metën, gjë që në fakt vërehet qysh tani. Ata e kanë marrë punën shtruar, me qetësinë e atyre që s’kanë asnjë arsye të nguten dhe duke përcjellë idenë se janë duke u marrë vesh për bukuri. Një siklet e kanë, dhe nuk është i vogël, por nuk demonstrojnë se jetojnë më shumë sesa duhet me këtë siklet. Sikleti është i njohur. Ka lidhje me ekonominë shqiptare, e cila është në ditët e veta më të zeza. Një tablo e saktë dhe e plotë e saj do të merret vesh me të filluar legjislatura, por gjasat janë që punët të jenë shumë keq. Ca gjëra dihen qysh tani, pa pritur të bëhet audicioni ndërkombëtar që ka kërkuar e premtuar Rama. Biznesmenët, që gjatë sundimit të Berishës kanë qenë kategoria më ngordhalaqe e shoqërisë, janë bërë më në fund të gjallë dhe po kërkojnë nga qeveria e re borxhet që u kish Berisha e që ata s’patën guximin t’ia kërkonin njëherë të vetme. Borxhi publik, sipas të dhënave të qeverisë ‘Berisha’, është ngjitur mbi nivelin e 60% të GDP-së së vendit. Investimet publike kanë rënë si kurrë ndonjëherë. Mbledhja e të ardhurave, gjithashtu (ka të bëjë thjesht me shkrehjen e administratës tatimore? Apo kemi të bëjmë me një shterje organike të burimeve të këtyre të ardhurave? Mbetet për t’u parë). Etj, etj.

Thashë pak më sipër se Rama e Meta e kanë marrë shtruar, megjithatë. E kanë marrë shtruar, ngaqë janë të sigurt se nuk ka kush i kërcënon. E kanë marrë shtruar dhe kjo duket më së fundi te shkujdesja, me të cilën janë duke përgatitur strukturën e qeverisë. Rama doli dhe e bëri publike këtë strukturë (është fjala për numrin, emërtimin dhe ndarjen e ministrive) dhe dha përshtypjen se negociatat mes tyre lidhur me këtë strukturë nuk kanë qenë të mundimshme. U duk se kjo strukturë është bërë mbi bazën e përmbushjes së ca qejfeve e qokave të njërit e të tjetrit. Kjo strukturë mund të justifikohet edhe me përparësitë programore të koalicionit qeverisës (një kryeministër pelivan mund ta bëjë këtë justifikim pa ndonjë zor të madh), por u la përshtypja se secili prej tyre ish përpjekur t’u gjente një portofol ministror beniaminëve të vet.

Por problemi nuk është këtu. Problemi është te një kontekst i tërë socio-politik dhe një tërësi rrethanash (përmasat e fitores më 23 qershor, dhe një klimë pakonkurrueshmërie që ekziston në politikën shqiptare në rrethanat që PD-ja është duke dhënë shpirt) që, në vend t’i motivojë fitimtarët për ta qeverisur mirë vendin, mund t’i bëjë të jetojnë me idenë se sido që të shkojnë punët, ata do të jenë aty për një kohë të gjatë. Është një kontekst që mund të prodhojë qeveri jetëgjata, por jo qeveri të mira e eficiente. Është një kontekst që në rastin më të mirë mund të prodhojë nonchalance në qeverisje e në rastin më të keq papërgjegjshmëri totale. Nuk ka diskutim që është shpejt për të arritur në përfundime. Loja ende nuk ka filluar. Por vini re: Nuk ka mes PS-së e LSI-së asnjë divergjencë, nuk ka asnjë fërkim, nuk ka asnjë argument, mbi të cilin nuk bien dakord, nuk ka asnjë çështje të mbetur pezull, nuk ka as ndonjë fanatizëm “ideologjik”, as ndonjë sforcim për të bërë ndonjë përafrim programor në qeverisje. Çdo vendim e marrin kollaj, fare kollaj. Vetëm ata të dy. Merren vesh në ajër për çdo gjë. E prandaj takimet e tyre janë thjesht “takime verore”.

Mund të shihet dhe si ogur i mirë kjo marrëdhënie “e nxehtë”, por unë personalisht e shoh me frikë, si ogur të keq. Qofsha i gabuar!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA