Barça, Martino: Ndihem i nderuar

26/07/2013 00:00

Gerardo Martino, trajneri i ri i Barcelonës, ka rezervuar fjalët e para si teknik i katalanasve për Tito Vilanovën: “Jam shumë i lumtur që jam në Barcelonë, por të gjithë e dimë arsyen pse jam këtu. I uroj shumë fat Titos.”

Më pas, “Tata” theksoi se “të jesh trajner i Barcelonës është një privilegj” dhe se një vit më parë nuk e mendonte se do të merrte këtë detyrë.

“Në karrierën time gjithmonë jam munduar t’i bëj skuadrat të luajnë sipas karakteristikave të lojtarëve që kam pasur në dispozicion. Barcelona do të luajë si gjithmonë, por duke shtuar presionin kur të kenë kundërshtarët topin. Messi do të luajë aty ku është mësuar të luajë dhe do të mundohem që së bashku me Neymarin të japin më të mirën. Nëse kjo gjë nuk ndodh, atëherë faji do të jetë imi”, deklaroi Martino.

Trajneri argjentinas mohoi edhe mediat spanjolle që kanë publikuar se ai e ka fituar detyrën prej Messit: “Messi nuk ka ndikuar aspak tek drejtuesit sepse ne të dy nuk njihemi. Shpresoja që një ditë ta stërvisja, por imagjinoja se do të bashkoheshim në Argjentinë, jo tek Barcelona.”

Top Channel