Juve, klubi me më shumë fitime nga Champions

25/07/2013 00:00

Juventusi, edhe pse u eliminua në çerekfinalet e Ligës së Kampioneve, është klubi me më shumë fitime nga edicioni i kaluar i kompeticionit më të rëndësishëm të futbollit europian për klube.

Kampionët e Italisë kanë mbushur arkat e tyre me 65.3 milionë euro, duke ia kaluar edhe vetë kampionëve të Europës, Bayern Munchen (55 milionë euro).

Finalistët e Champions, Borussia Dortmund, fituan 54,1 milionë euro duke zënë vendin e tretë në renditjen e publikuar nga UEFA në faqen e saj zyrtare.

Milani është ekipi i katërt me më shumë fitime. Kuqezinjtë kanë arkëtuar 51.3 milionë euro, më shumë se Real Madrid (48,4) dhe Barcelona (45,5).

Diferenca në favor të klubeve italiane ka të bëjë me të drejtat televizive. Juventus ka fituar 44,8 milionë euro nga shitja e tyre, ndërsa Milani 36,2. Bayerni përfitoi “vetëm” 19,1 e për këtë arsye ka dalë me më pak të ardhura edhe pse është fitues i turneut.

Ja 10 ekipet që kanë përfituar më shumë para’ nga pjesëmarrja në Ligën e Kampioneve për sezonin 2012-2013:

1. Juventus 65,3
2. Bayern Munchen 55
3. Dortmund 54,1
4. Milan 51,3
5. Real Madrid 48,4
6. FC Barcelona 45,5
7. PSG 44,7
8. Manchester United 35,5
9. Montpellier 32,3
10. Málaga 32,1

Top Channel