“Audit ndërkombëtar qeverisjes”

25/07/2013 00:00

Në një tryezë të përbashkët me drejtues të bankave, kryeministri i
ardhshëm Edi Rama shprehu nevojën e një auditimi ndërkombëtar të
sistemit qeverisës dhe atij administrativ, në kushtet e mungesës së
transparencës së të dhënave për të përballuar krizën.

“Ne besojmë që sot jetojmë me një gjysmë të vërtetë, për shkak se shumë nga të dhënat dhe shumë nga elementët e gjithë procesit qeverisës, nuk janë pjese e asaj transparence të domosdoshme për të përballuar krizën që kemi rreth e rrotull. Ne do të ndërmarrim edhe një hap që besoj do të jetë komplementar për të kërkuar nga një kompani ndërkombëtare auditimi që të na ndihmojë që një orë e më parë ne të kemi në tryezë të vërtetën dhe gjithë të vërtetën”, tha Rama.

Për t’i dhënë fund fabrikimit të të dhënave, Edi Rama tha se Instituti i Statistikave duhet të kthehet në një institucion të pavarur dhe për këtë do të nevojitet një periudhë pesë vjecare binjakëzimi me një institucion të një vendi të Bashkimit Evropian.

“Ne duam që një orë më parë INSTAT të shkëputet nga tutela e Qeverisë dhe të kthehet në një institucion të pavarur. Për këtë besojmë shumë tek dobia e një projekti në suazën e programeve të Bashkimit Europian, të binjakëzimit të INSTAT-it shqiptar me një INSTAT të një vendi të BE dhe të marrjes së menaxhimit për një periudhë 5-vjeçare nga INSTAT-i i atij vendi, në mënyrë që gjithë stafi lokal të punojë i çliruar nga presioni i politikës dhe më në fund të kemi shifrat reale të papunësisë, të varfërisë”, tha Rama.

Një tjetër hallkë e rëndësishme sipas Ramës është ngritja e një strukture të ndërmjetme qeveri-sipërmarrës, Këshillit Ekonomik Kombëtar, ku pjesëmarrja e përfaqësuesve të bankave është e domosdoshme.

I pranishëm në takim, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani theksoi rëndësinë e zbutjes së pasigurisë në ekonomi.

“Nisma të tjera do të mbështesin uljen e pasigurisë. Unë mendoj që këto lista duhet të jenë: forcimi i planeve të kontigjencës dhe i marrëdhënieve me sesionet financiare ndërkombëtare; rritja e transparencës dhe e konsistencës së programeve të zhvillimit, si në nivel kombëtar dhe në nivel sektorial; forcimi i kuadrit ligjor, rregullatorët fiskalë dhe minimizimi i luhatjeve të tyre; përmirësimi i klimës së biznesit në marrëdhëniet e tij me administratën tatimore dhe në marrëdhëniet me sistemin gjyqësor”, tha Rama.

Sipas Shoqatës së Bankave një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet sistemi janë kreditë e këqija.

Top Channel