Rama shtron iftar

23/07/2013 23:00

Kryeministri i ardhshëm i vendit, Edi Rama, së bashku me bashkëshorten Linda, shtruan një iftar me rastin e Muajit të Madhërueshëm të Ramazanit.

300 besimtarë musliman, politikanë, diplomatë të huaj dhe njerëz të medias, ishin të ftuarit e çiftit Rama në një prej lokaleve në periferi të Tiranës.

Pas çeljes së iftarit, në fjalën përshëndetëse Edi Rama vlerësoi se një nga vlerat më të rëndësishme, me të cilat Shqipëria duhet të krenohet sot, është pikërisht harmonia e bashkëjetesa fetare.

“Jemi të ndryshëm dhe të barabartë te liria e besimit, që nuk vë cak te liria e tjetrit. Ky është vendi, ku secili prej nesh, në çdo rast që kremtohet një ditë e shënuar e kalendareve fetare, ndjehet mirë. Feja lidhet me lirinë, jo me ndasinë, me vlerën e një bashkëjetese si urë me besimet e tjera. Kjo është trashëgimia unikale që, në botën e sotme të konflikteve, përbën një vlerë të jashtëzakonshme, e cila duhet ruajtur si e tillë”, tha Rama.

E që këto vlera të ruhen e të vijojnë, sipas Ramës, shpirti i bashkëjetesës në harmoni fetare duhet kultivuar edhe te gjenerata e re. Kryeministri në ardhje i vendit i përcolli të gjithë Komunitetit Musliman Shqiptar, urime për këtë muaj të shenjtë.

“Uroj një Ramazan të bekuar”, përfundoi Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA