Përpëlitjet e fundit të autokratit

23/07/2013 00:00

Andrea Stefani – Thuajse një muaj pas disfatës plebishitare të
koalicionit të tij, Sali Berisha duket se nuk po mësohet dot me faktin
që shumë shpejt duhet të lërë zyrën e Kryeministrit.

Prandaj është shfaqur në publik me një gjuhë të ashpër tipike për të sa herë që dominohet nga urrejtja për një kundërshtar që i ka rrëmbyer pushtetin. Në thelb përsërit të njëjtin mallkim të vitit ’97. Nuk tha “do t’jua ngrij buzëqeshjen” por lëshoi, në adresë të kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, kërcënimin “nuk do ta gëzojë kurrë një pushtet të dalë nga manipulimi dhe falsifikimi i votës”!

***

Tërbimi i Berishës ka disa shpjegime. Së pari, si autokrat tipik që e ka ngritur strategjinë për pushtet pa fund mbi manipulimin e zgjedhjeve, nuk mund të pranojë se është mundur me votë të lirë. E si mund demokracia të rrëzojë “demokratin”? Në vitin ’97 ngriti pretendimin se e larguan nga pushteti me “kallash”. Sot, kur shpifje të tilla nuk pinë më ujë, ka shpikur një tjetër, atë se po largohet nga pushteti me vota të vjedhura nga opozita! Pionieri i manipulimit të votave në Shqipëri në rolin e viktimës, vjedhësi në rolin e të vjedhurit. E ka harruar fare faktin se ishte pikërisht ai që vetëshpallej garant për zgjedhjet më të lira e më të ndershme në historinë e Shqipërisë, se është pikërisht qeveria dhe jo opozita ajo që ka përgjegjësinë për organizmin e zgjedhjeve që pamundësojnë vjedhjet dhe manipulimet. Por nuk bëri asgjë për ngritjen e atij sistemi, që mundëson një gjë të tillë. Dështoi me listat e zgjedhësve, dështoi me projektet e numërimit elektronik të votave, dështoi me gjithçka që mundëson manipulimin dhe vjedhjen e votave. Shkeli hapur ligjin, duke i ndarë zonat zgjedhore si deshi, duke dhunuar e gjysmuar KQZ-në, duke vënë aparatin shtetëror, deri shkollat e fëmijët, në dispozicion të një fushate krejtësisht të pandershme. Por nuk ia doli. Shqiptarët e thanë me votë dërrmuese: Ik! Tani rreket ta bëjë pis vullnetin e sovranit. Dhe dihet se edhe këto zgjedhje nuk ishin të standardeve. Kanë vjedhur dhe blerë vota edhe nga demokratët, edhe nga socialistët apo edhe nga LSI-stat. Më kot përpiqet Berisha, Basha dhe Olldashi, këta “engjëj” të zgjedhjeve të “ndershme”, ta paraqesin vesin e vjedhjes apo tregtimit të votës si ekskluzivitet të socialistëve. Por një gjë është e pastër dhe e pandotur nga tradita e manipulimit të zgjedhjeve, babai i së cilës është vetë autokrati Berisha: shumica dërrmuese e shqiptarëve e kanë kundërvotuar. E megjithatë, edhe pse për 8 vjet rresht nuk ka bërë asgjë për parandalimin e vjedhjes së votës, nuk ka turp të qahet se i janë vjedhur votat. Është Kryeministri i vetëm në histori që përpiqet të nxjerrë përfitime nga zullumet që vetë i ka gatuar. A nuk bëri të njëjtën gjë me piramidat! A nuk fajësoi të tjerët për ato që vetë i toleroi?

***

Por tërbimi i Berishës dhe kërcënimet e tij rrugaçërore kanë edhe një shpjegim të dytë. E ka alarmuar deklarata e Edi Ramës, që la të kuptohet se me të duhet të merret drejtësia. Është shumë i trembur nga mundësia që qeveria e re të investohet për goditjen e korrupsionit të këtyre 8 viteve. Dhe ky nuk mund veçse të jetë korrupsion i qeverisë, i ministrave dhe i të afërmve të tij. Korrupsionin e bëjnë qeveritë, burokratët dhe jo qytetarët. Berishën e shqetësojnë edhe deklarimet e ndërkombëtarëve për nevojën urgjente të rekordeve konkrete të qeverisë së re në luftën kundër korrupsionit. Dhe nga përvoja e kaluar ai ka mësuar se mund t’i shpëtojë drejtësisë vetëm duke ashpërsuar situatën politike dhe politizuar luftën kundër korrupsionit, duke e paraqitur ndëshkimin e korrupsionit të qeverisë së tij në ikje, si një revansh politik të pushtetit kundër opozitës politike. Ndaj akuzat që ngre sot për vjedhjen e votave në 23 qershor, duke përdorur kamikazët e tij në KQZ dhe duke hiperbolizuar rezultatin e rinumërimit të votave në Lezhë, janë pjesë e taktikës për të ngritur tensionin politik në vend dhe për ta përdorur si barrikadë ndaj fushatës antikorrupsion që po afron. Taktika është një shantazh edhe ndaj ndërkombëtarëve. Berisha shpreson se edhe sot, si në vitin 1997, ata do ndërhyjnë që lufta kundër korrupsionit të mos prekë Berishën dhe rrethin e tij të afërt, sepse kjo mund të cenonte stabilitetin politik. Berisha po kërcënon me destabilizim.

***

Si në jo pak raste të tjera, edhe në këtë rast Berisha nuk mund të mos dalë kundër vetë Berishës. Është ironike të shohësh sot se si Berisha këmbëngul për hapjen e kutive, kur vite më parë ishte po ky politikan që në emër të “ligjit” këmbëngulte për mos hapjen e kutive dhe mosrealizimin e transparencës, siç e kërkonte opozita e asaj kohe. Prandaj, kur sot Berisha kërkon të rinumërohet çdo votë në emër të gjoja transparencës, është po Berisha i vitit 2009 që i kundërpërgjigjet, se kutitë nuk mund të hapen në kundërshtim me Kodin Zgjedhor. Dhe është e vërtetë se përveç Lezhës dhe Shkodrës (dhe në ndonjë zonë tjetër në të cilën rinumërimi nuk u pranua nga KQZ) nuk ka pasur ankesa për zonat e tjera zgjedhore, ndërkohë që të gjitha afatet për ankesa të tjera kanë kaluar. Që të hapë kutitë në zona të tjera, sikundër kërcënon Berisha duhet të shkelet Kodi Zgjedhor. Vendimi i djeshëm i Kolegjit Zgjedhor ishte shuplaka institucionale që autokrati mori për intrigat e tij të veshura me proceduralizëm antidemokratik. Tashmë edhe Kolegji po çlirohet nga frika e autokratit. Janë përpëlitjet e tij të fundit. Ndaj Berisha duhet të kuptojë më në fund se është autokrati që ka rënë dhe nuk mund ta keqpërdorë më ligjin dhe institucionet për të plotësuar kapriçiot e tij. Dhe mes kundërshtarëve që i çjerrin maskën ka vetveten që i bërtet prej vitit 2009: Ligji, ligji dhe vetëm ligji!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA