Champions, Skënderbeu thyen 1-0 Neftchi-n

23/07/2013 22:20

Kampionët e Shqipërisë, Skënderbeu, kanë arritur një sukses të paprecedent në historinë e futbollit europian nga skuadrat shqiptare.

Pas barazimit pa gola në Baku të Azerbajxhanit, ndaj skuadrës vendase Neftchi Baku, skuadra korçare dominon pothuajse gjatë gjithë takimit të kthimit, të luajtur në Korçë, edhe pse nuk arriti të trondiste rrjetën gjatë 90-minutëshit të rregullt.

Skënderbeu ishte në një ditë të pafat, sa i përket konkluzionit të rasteve të krijuara, ku ndër të tjerë bie në sy sulmuesi kroat Pero Pejic, i cili kishte disa raste për shënim.

Atë që nuk bënë sulmuesit e ekipit korçar, mendoi ta kthente në realitet mesfushori nigerian, Nurudeen Orelesi, i cili në pjesën e dytë të kohëve shtesë, më saktësisht minuta e 115-të e takimit, arrin të lëshojë një gjuajtje nga jashtë zone dhe, i ndihmuar nga një devijim i lojtarëve azerbajxhanas, e çon topin pas shpinës së portierit të Neftchit, një hero për ekipin mik deri në këtë minutë.

Skënderbeu arrin kështu të kualifikohet në turin e 3-të paraeliminator të Champions League, si askush më parë, ku do të ndeshet ndaj ekipit të Shakhtar Karagandy, nga Kazakistani.

Top Channel