“Shqipëria Ime”, nga Apolonia në Karaburun

22/07/2013 00:00

“Shqipëria Ime” këtë javë ka udhëtuar në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, në zbulim të objekteve të lashta dhe legjendave.
Po ashtu, udhëtimi vijon në Ishullin e Sazanit dhe gadishullin e
Karaburunit për të treguar shpellat e lashta, që mbajnë histori, plazhet
e virgjëra dhe botën nënujore.

Qytet i madh dhe hijerëndë! E përshkruante kështu cicëroni, në shkrimet e tij, Apoloninë.

“Cicëroni e quante kështu, sepse kishte disa arsye: E para, ishte një qytet i zhvilluar, si nga ana ekonomike, ku përfshihen disa degë të ekonomisë, siç ishte blegtoria, bujqësia, zejtaria dhe tregtia me të gjithë botën mesdhetare”, tha Admir Xhelaj, arkeolog.

Arkitektura ishte një tjetër pikë e fortë e qytetit, i cili u themelua në shekullin e VII p.e.s. nga kolonizatorë helenë, që vinin nga Korinti. U zhvillua përgjatë 1000 viteve, arsye për të cilën gjenden gjurmë nga antikiteti, deri në periudhën bizantine.

Rrënojat u gjetën gjatë viteve ’20-’30, nga arkeologu francez Leon Rei. Ndër pikat për t’u parë janë: Zona e shenjtë e qytetit, Akropoli, Portiku dhe muri rrethues. Nga lashtësia, përpos objekteve, janë trashëguar edhe legjendat.

Këtu gjendet edhe Kisha e Shën Mërisë, e cila i përket periudhës bizantine. Pranë saj ndodhet edhe Muzeu Arkeologjik, me objekte të lashta e statuja, ku cicëronët shpjegojnë gjithçka mbi to dhe qytetin.

Apolonia konsiderohet nga arkeologët si Pompei i Shqipërisë, pasi vetëm 10% e saj është zbuluar nga qytetërimi i hershëm. 12 km larg Fierit, ka një pozicion gjeografik të përshtatshëm që, përveç se mundëson pamje nga deti Adriatik e Fusha e Myzeqesë, rreth një orë larg saj mund të shijohen plazhet e Vlorës.

Disa km më pas, në drejtim të jugut, në të djathtë të hyrjes së qytetit të Vlorës, marrim rrugën për në Triport. Vendasit ofrojnë për turistët guida me skaf, për të eksploruar zona të virgjëra.

Etapa jonë e parë: Gadishulli i Karaburunit. Me një gjatësi prej rreth 15 km dhe gjerësi deri në 4,5 km, ai ofron pamje mbresëlënëse për shkak të terrenit të thyer, ujrave të kristalta, gjireve të fshehura, plazheve të vogla e të qeta, shpellave e historive, që ato mbartin, dhe botën nënujore për t’u eksploruar.

Ndalojmë në shpellën e detarit Haxhi Ali. Thuhet se këtu, ai strehohej së bashku me të birin, për të sulmuar piratët e detit, në mbrojtje të njerëzve dhe tregtarve, që udhëtonin me anije në këto zona. Shpella është e gjatë rreth 30 metra, 12 m e gjerë dhe me lartësi rreth 18 metra. Prej fundit të saj burojnë ujra të ëmbël. Objektet arkeologjike, që janë gjetur këtu, dëshmojnë se shpella është përdorur si vendstrehim edhe në lashtësi. Ajo njihet ndryshe edhe si shpella Ilirike.

Ky është Gjiri i Dafinës. I vogël dhe intim, përpos plazhit, një vend ideal edhe për snorkeling, për të parë bimësinë nënujore dhe peshq. Për të apasionuarit, edhe gjueti me pushkë në ujë.

Një sërë shpellash për t’u parë, derisa të mbërrihet në Gjirin e Arushës. Një tjetër vend për t’u ndalur. Plazhe të tjera: ai i Mermerit… dhe plazhi i Shën Vasilit.

Lëmë pas Gadishullin e Karaburunit dhe nisemi drejt ishullit të Sazanit. Pika më perëndimore e Shqipërisë.

Është më i madhi i vendit, me një sipërfaqe prej 5,7 km katrorë dhe i pabanuar. Gjendet në fillim të gjirit të Vlorës, mes ujrave të detit Adriatik dhe Jon. Në antikitet, nga shekulli i VI p.e.s, njihej me emrin Sason. Pas pushtimeve veneciane, angleze e greke ndër shekuj, ishulli është përdorur gjatë periudhës komuniste si bazë ushtarake.

Ende pa struktura turistike, në shoqërinë e guidave lokale, në Sazan mund të shikohen mes të tjerash peisazhet, që ofron vija bregdetare e thyer. Për zhytje: shpella nënujore në Gjirin e Djallit, në anën perëndimore të ishullit. Gjurmë nga baza ushtarake e dikurshme shihen qartë nga deti. Në lindje të ishullit, në Gjirin e Shënkollës, porti detaro-ushtarak.

Perëndimi i diellit pas Sazanit, spektakël më vete për t’u shijuar!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA