GJERGJ EREBARA – Partia Demokratike po mban sot zgjedhjet e para me
parimin një anëtar, një votë për kryetarin e vet. Do të mund të
konsiderohej si një moment historik për demokracinë, në rast se gara do
të ishte e vërtetë. Por për fat të keq, është vetëm spektakli i radhës.
Metodat e zgjedhjeve, metodat e administrimit dhe metodat e reklamimit të vetes nga ana e kandidatëve, e bëjnë garën një farsë.
Zgjedhjet brenda partive janë thelbi i demokracisë në shumicën dërrmuese të vendeve demokratike. Anëtarët e partisë janë ata që duhet të debatojnë dhe përcaktojnë jo vetëm kryetarin, por kandidatët për deputetë, kandidatët për kryeministër, si dhe normalisht, programin dhe politikat. Përkundër këtij modeli, partitë shqiptare kanë modelin e votimit të deleguar, ku teorikisht anëtarët zgjedhin delegatë dhe delegatët zgjedhin udhëheqës. Kjo metoda e dytë i ka dhënë Shqipërisë diktatorë pas diktatorësh, disa prej të cilëve, qesharakë.
Situata është e njëjtë te partitë e majta, ku garat janë po aq farsë sa edhe zgjedhjet parlamentare.
Farsa filloi në ditën që Sali Berisha shpalli se edhe do të ishte në PD, por edhe do të ishte jashtë saj. Edhe do të lejonte garë, por edhe nuk do të lejonte anëtarët e kryesisë të dilnin hapur pro ndonjë kandidati.
Vendimi për të bërë zgjedhje sipas parimit një anëtar, një votë, nuk u mor nga kongresi i partisë, pra nuk ishte një reformë. Thjesht kryetarit në hije iu mbush mendja se një votim i tillë do të ishte goxha spektakël. Në fund, me parimin një anëtar, një votë, duhet të zgjidhet i gjithë korpusi i drejtuesve nga degët te kryesia dhe te kryetari. Në një situatë të tillë, kur pas diktaturës vjen demokracia, vendet fillimisht ngrenë një asamble kushtetuese, që duhet të hartojë kushtetutën, të drejtat dhe detyrimet, pastaj vijohet me zgjedhje vendore e në fund, me zgjedhje parlamentare e presidenciale. Të gjitha këto kërkojnë kohë. Kjo nuk ishte çfarë ndodhi gjatë muajit të fundit me PD-në.
Pas diktaturës së gjatë të Berishës në PD, vendoset që të zgjidhet drejtpërsëdrejti kryetari.
Dje rastësisht mësova se një punonjëse e thjeshtë në një nga shumë institucionet e Bashkisë së Tiranës, ishte marrë në telefon dhe i ishte kërkuar në mënyrën e zakonshme urdhëruese, të shkonte te mitingu i Lulzim Bashës, sepse ky i fundit kishte nevojë për figurantë.
Sali Berisha deklaroi para nja tri javëve se qe shumë i bezdisur nga komentet e medias për garën. Ai na tha se komentet kritike “vinin nga media e majtë”. Por pikërisht nga kjo media e majtë, përgjithësisht media e drejtuar nga ndërtues, dolën dje hapur në mbështetje të Lulzim Bashës, duke sajuar mes të tjerash, edhe sondazhe që tregonin se ky i fundit ishte i pëlqyer nga shumica e shqiptarëve.
Sokol Olldashi, nga ana e tij, na foli për “aleanca fluide”, pasi pati akuzuar më herët Lëvizjen Socialiste për Integrim se po ndërhynte në zgjedhjet e PD-së në Fier e Berat. Olldashi nuk desh ta elaborojë, por dukshëm dy deklaratat e tij tregojnë se mes Bashës dhe LSI-së ka një aleancë fluide.
Të dy kandidatët në garë për kryetarin e PD-së nuk u morën pothuajse fare me partinë e vet. Të dy u morën me kundërshtarin politik dhe hynë në një garë se kush shan më shumë të majtën. Të dy hynë në një garë se kush lavdëronte më shumë liderin e dorëhequr, duke përsëritur vazhdimisht se gjithkush tjetër qe fajtor për humbjen e zgjedhjeve, por kurrsesi lideri, i cili vetë tha se ai ishte përgjegjësi.
Olldashi pati një tentativë për të folur për ish të përndjekurit dhe pronarët, dy tema që as që u përmendën fare nga programi elektoral i PD-së për zgjedhjet e 23 qershorit. Premtimi më i përsëritur i Bashës është se “do të njohë kontributin e çdo anëtari”, do ta kontabilizojë atë.
Duket se ai ka mësuar shumë nga punëdhënësi i tij Berisha për përdorimin e klientelizmit si mjet i të bërit politikë. Premtimi tjetër i Bashës ishte që “do të mbrojë” demokratët që janë të punësuar në administratën shtetërore aktualisht kur të pushohen nga puna nga socialistët pas shtatorit.
Shkurt, gara nisi me vetëpërjashtimin e shumë figurave, pastaj me ndalimin e tyre me urdhër për të marrë pjesë publikisht dhe hapur duke mbështetur njërin apo tjetrin kandidat (nënkuptohet ndalimi i kryesisë në mbështetjen e Olldashit) dhe pastaj me mungesë transparence mbi listat e votuesve, numrin e votuesve, qendrat e votimit etj. Për t’i vënë vulën, dje u mësua se anëtarët e kryesisë dhe deputetët nuk do të votojnë në PD-në e lagjes së vet, por do të votojnë në një kuti të posaçme në selinë qendrore të PD-së. Të dhënat e asaj kutie do të shërbejnë për të pasur nivelin e besnikërisë së figurave kryesore ndaj udhëheqësit të ardhshëm.
Ajo çfarë duhej të ishte një ngjarje historike për demokracinë në Shqipëri, në fakt nuk është kështu.
Gazeta “Shqip”
Top Channel