Aleksandër Çipa – Procesi zgjedhor i Qarkut të Lezhës dhe deri diku edhe i Shkodrës, tashmë ka hyrë në një fazë problematike certifikimi dhe besimi.
Komisioni (i cunguar) Qendror i Zgjedhjeve, me katër vota, ka vendosur rinumërimin e fletëve të votimit në këtë qark, pra në Lezhë. Në këtë mënyrë është siguruar një kapitull-kampion për të krijuar imazhin e një procesi përmbajtësisht të ndotur, pra të vjedhur dhe të manipuluar në logjikën e palës që ende kryeson Kryeministri Berisha. Nga ana tjetër, pala e opozitës së shpallur si shumicë e re ka rendur të deklarohet se një vendim i tillë nuk përbën gjë tjetër veçse një akt besnik politik të anëtarëve të KQZ-së së mbetur, të cilët konsiderohen si përfaqësues të vullnetbindjes politike ndaj PD-së.
Në këtë mënyrë dhe përmes këtij akti kaq të shumëdiskutuar dhe të polemizueshëm, dy kahet politike në vend po rikthejnë debatin dhe pse jo edhe konfliktin e tyre politik, i cili vendos në epiqendër institucionin qendror të zgjedhjeve. Pas kësaj, kultura politike e sjelljes me zgjedhjet dhe sidomos me procesin zgjedhor në vend, nuk pëson asnjë ndryshim dhe nuk shënon asnjë risi. E vetmja e re është ajo e pozicionit të ndërruar të protagonistit të përhershëm zhurmëmadh Berisha, i cili një kërkesë që dikur ia mohoi kategorikisht kundërshtarit, e zbaton lehtësisht dhe menjëherë, madje edhe me votim të njëkrahshëm, tani që i vlen për veten.(!)
Në këtë mënyrë zoti Berisha, edhe pse në epilog të komandimit politik, ia del të shembë e tjetërsojë imazhin për këtë proces, të cilin pak ditë më parë mund ta ketë quajtur më të mirin dhe më të shkëlqyerin e historisë së sotme shqiptare. Ndonëse shumica e vëzhguesve dhe interpretëve politikë në vend vazhdojmë ta konsiderojmë të keqtrajtuar dhe të deformuar në shumë aspekte dhe madje edhe të prishur në disa elemente, si dhe të pabesueshëm në disa tregues të rezultateve.
Në këtë sorollatje të zotit Berisha për të mbërritur në një vlerësim përfundimtar për procesin zgjedhor të 23 qershorit 2013, të cilin e përgatiti dhe e inskenoi vetë, po ia del të krijojë dhe të iniciojë akte e lëvizje, të cilat po e shtojnë ilaritetin dhe sidomos dyshueshmërinë për një thellësi e përmbajtje të ndotur në tërësi.
Përmes zëdhënësve të Partisë së vet, në datat 24 dhe 26 qershor, kryeministri-kryetar i PD-së jo vetëm që e pranoi dhe vlerësoi këtë proces, por duke shënuar një akt civil të dorëheqjes nga kryetar i partisë, shkaktoi besimin e vënë në dyshim për një rotacion paqësor dhe të lehtësueshëm. Në fakt, si usta i përhershëm i politikëbërjes për llogari dhe interes të vetin, zoti Berisha inicioi një proces zgjedhjesh të menjëhershme në Parti, duke ndezur me kundërshtarin e tij politik një polemikë publike për stilemat “kryeministër në detyrë” dhe “kryeministër në ardhje”. Kësaj polemike i dha elemente sfidante përmes vendimmarrjeve për rritjen e pagave dhe pensioneve në ditët e fundit të mandatit dhe sidomos për akte të tjera vendimuese në krye të ekzekutivit, duke e lënë në plan të dytë procesin e transparencës për gjendjen faktike dhe sidomos evidentimin e “anatomisë” reale të financave dhe ekonomisë së vendit.
Opozita e deritanishme, që rezulton shumicë e sapoardhur për parlamentin e vendit, duke e nuhatur këtë skenar, ka ndërmarrë e vijon reagimet dhe denoncimet për kontrastin me atë që deputetë dhe artikulantë të saj e quajnë “gjendje të fshehur” apo “greminë të mbuluar”.
Natyrisht edhe pse polemika është fokusuar në këto dy aspekte, në atë të zgjedhjeve të rrufeshme të kryetarit të ri të PD-së dhe tek “e padrejta morale e Kryeministrit në detyrë për vendimmarrje me kosto për qeverinë në ardhje”, përsëri vëmendja te KQZ-ja dhe aktet administruese të saj për zgjedhjet, nuk është bjerrë.
Numërimi i votave në të gjitha kutitë e Qarkut të Lezhës është shprehje reale e kapriçioze e Kryeministrit në detyrë Berisha e realizuar lehtësisht, e cila, sipas gjasave, po ia del të krijojë kazusin potencial për një imazh ndotës të zgjedhjeve në këtë zonë. Rezultati në këtë zonë ka një domethënie komplekse. Nuk lidhet vetëm me përballjen klasike PD-PS, por me surprizuesen LSI, forcë e cila prishi të gjitha skemat e hamendësuara të rezultateve të pritshme. Rinumërimi i votave në Lezhë është një akt që kontraston me një të drejtë të mohuar për zgjedhjet e 2011-s në Tiranë, ku diçka e tillë u kërkua nga socialistët për rezultatin e ish-kryebashkiakut Rama. Aplikimi i qëndrimeve që marrin përmbajtjen e “double-standard” në varësi të interesit të më të fuqishmit për vendimmarrjen, kanë qenë dhe mbesin tipar i sjelljes së politikanit Berisha në kohën e tranzicionit të tij shqiptar. Në këtë mënyrë ia del që edhe asaj që ai e konsideron standardin më të shkëlqyer, ia gjen faktin ta ndotë dhe ta përdorë si argument të padrejtësisë që “i kanë bërë kundërshtarët”. Kur vjedhja rezulton në interes të tij, ia bën avokatinë si askush tjetër dhe ia gjen kontekstin si e drejtë e tij me gjithë zërin dhe kordat e tij. Në rastin kur vjedhja i rezulton kundërshtarit, s’ka lartësi apo humnerë që e pengon për të sjellë gjithë vëmendjen e botës këtu. Kjo gjë po ngjet dhe, sipas gjasave, ka për të ngjarë edhe në këtë kohë të mbetur në pritje të certifikimit të rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ka nisur me gjithë kapacitetet të sendërtojë ankesën, denoncimin dhe faktimin e vjedhjes së koalicionit të majtë në Lezhë. Një mësymje jo për të ndryshuar rezultatin, por për të ngritur alibinë. Zoti Berisha nuk e denoncon vjedhjen nga pozita e të paqenët kurrë hajdut, por nga pozita e politikanit që aftësinë e mbjelljes së saj e ka më të lartë se aftësinë e denoncimit. Zotësia e skenaristit për të pasur një mbjellje të fuqishme të vjedhjes së votës, në ditët e paszgjedhjeve të qershorit po konvertohet në aftësi për ta ndotur rezultatin sado sfidues dhe tejkalues është ai.
Dhe e drejta e tij jo e vogël është se në brendësi të proceseve zgjedhore gjithherë ka vjedhje dhe ndotje. Mirëpo e padrejta e tij e madhe kësaj here ka lidhje me rezultatin real që ka tejkaluar dhe sfiduar gjithfarë vjedhjesh të mundshme të votës së sovranit. Ofensiva për ndotje e imazhprishje të procesit aktual zgjedhor që dirigjohet dukshëm prej “doktorit të dorëhequr”, kësaj here nuk ka lidhje me kundërlojtarët e tij Meta e Rama, por me sovranin dhe realen e vendit dhe të shoqërisë shqiptare. Kjo ndotje kësaj here po funksionon drejtpërdrejt kundër shoqërisë. Sovrani ka votuar pa ekuivok dhe matanë çdo skeme parashikimi. Për këtë shkak ndërgjegjja e tij për të tejkaluar politikëpengimin e tranzicionit, duhet lexuar drejt dhe pa diabolizëm. Koha dhe mjetet rënduese mbi të drejtën e qytetarëve dhe shoqërisë janë konsumuar në qeverisjen e gjatë të tranzicionistëve politikë të së majtës dhe së djathtës. Tani vjedhja dhe ndotja duhet të jenë para një kapitulli të ri, sepse nuk mund të ketë më alibi për vjedhësit.
Top Channel