Veron rikthehet të luajë… për bamirësi!

20/07/2013 03:50

Juan Sebastian Veron nuk e fsheh dot dashurinë për futbollin e luajtur.

Në moshën 38-vjeçare, veterani i “albiceleste”-ve dhe ish-futbollist i njohur në futbollin italian, ka vendosur të rikthehet në fushë për të riveshur fanelën e Estudiantes, klub me të cilin mbylli karrierën si futbollist dhe edicionin e fundit ka mbuluar rolin e drejtorit sportiv.

Paga e tij do të jepet për bamirësi për të rinjtë e La Plata-s.

Veron, i cili ka firmosur një kontratë 1-vjeçare, kishte deklaruar më parë tërheqjen nga futbolli në 2012-n, për shkak të dhimbjeve në shpinë dhe në kavilje, por vazhdoi të luante në nivele amatoriale.

Shuma e përfituar prej tij gjatë këtij sezoni do të jepet në ndihmë të ekipit të të rinjve të La Plata-s, qytet i cili u përfshi nga shira të përmbytshëm vetëm pak muaj më parë, për t’i dhënë kështu më shumë shpresë “të ardhmes” së vendit të tij.

Top Channel