Olldashi-Basha, takimet e fundit me anëtarësinë

20/07/2013 00:00

Dy ditë para zgjedhjeve për kreun e ri të Partisë Demokratike, Lulzim
Basha prezantoi platformën për drejtimin e partisë në Fier, Patos,
Mallakastër dhe Kamëz. Basha tha se Partia Demokratike duhet të jetë e
gatshme të përballet me një maxhorancë që nuk mban premtimet që u ka
bërë qytetarëve.

“Kanë hyrë në garë me njëri-tjetrin se kush sjell më shumë militant dhe CV militantësh por nuk kanë ndërmend të na ofrojnë asnjë politikë se si do të punësojnë 300 mijë shqiptarë. Një nga premtimet e para që po shkelmojnë është taksa progresive dhe heqja e taksës për 95 % të shqiptarëve sepse ju e keni vënë re se ka një javë që kanë filluar të thurin lavde taksës së sheshtë të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës”, tha Basha.
 
Basha shkoi dhe më tej duke akuzuar fituesit e 23 qershorit për shitblerje të votës.

‘Na lind sot detyra para kësaj mazhorance të zhbërë nga pesha e mashtrimit, e vjedhjes së votave në Lezhë e kudo tjetër, që të përballemi me ta jo vetëm nëpërmjet instrumentave normalë të çdo opozite por t’i ofrojmë sot gadishmërinë tonë dhe platformën tonë për t’u kthyer një orë e më parë si forcë qeverisëse e gjithë Shqipërisë”, theksoi Basha.

Duke theksuar rëndësinë e vlerësimit të kontributit të çdo anëtari të Partisë Demokratike dhe përfshirjes së tij në vendimmarrje, Basha tha se kjo do të jetë e sanksionuar në statut.

Ndërkaq, Sokol Olldashi vijoi takimet me anëtarë dhe struktura drejtuese të Partisë Demokratike në kryeqytet, gjatë të cilave i cilësoi zgjedhjet brenda PD-së, një garë reale vlerash. Edhe sipas Olldashit, ristrukturimi i partisë nuk nis me kryetarin e ri, kush do qoftë ai, por përmes lidhjes me anëtarët e thjeshtë.

“Ne kemi nevojë të modifikojmë atë që është lidhja bazë e nivelit politik të partisë me qelizën e vet dhe qeliza e një strukture gjigante, siç është Partia Demokratike, është anëtari i thjeshtë. Ristrukturimi dhe rivitalizimi i PD-se nuk nis me kryetarin e ri, cilido që të zgjidhet. Rivitalizimi i Partisë Demokratike nis me rivendosjen e marrëdhënies mes nivelit politik të partisë dhe anëtarit të saj, këtu fillon ringritja”, tha Olldashi.
 
Olldashi foli për platformën e tij për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë politike në përballjen e parë elektorale.

“Nëse ne duhet të bëjmë një betejë të fortë, nëse ne duam të bëjmë një betejë politike të suksesshme për të rikthyer Partinë Demokratike në shumicë, ne duhet të ndajmë fushën politike. Duhet t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve se politika në këtë vend nuk ka më tre pole: ka mazhorancën e tyre dhe  opozitën tonë. Nuk ka më lojtar mesi”, tha Olldashi.

Oldashi doli edhe nga protokolli zyrtar i takimeve dhe u takua me te rinjte e FRPD-se ne nje nga klabet e Tiranes.

Top Channel