Sinan Tafaj – Qytetarë të thjeshtë dhe të pamundur i drejtojnë sytë dhe
shpresat te shteti dhe burrat e tij. Ata besojnë në teorinë e shtetit
baba, ata besojnë në drejtësinë dhe dhembshurinë e këtij babai.
Megjithatë, le të hedhim një vështrim dhe të analizojmë përpjekjet që
personat me aftësi të kufizuara kanë bërë me ministrin e Punës dhe
Çështjeve Sociale, z. Ksera.
Për kortezi, që në muajin e parë të emërimit të tij si ministër, thuajse se të gjithë organizatat kombëtare i dërguam mesazhe urimi në mënyrat që ata zgjidhën si më të arsyeshme dhe pas filluan kërkesat për takim. Edhe sot për ne është e paqartë se cila ishte arsyeja që zoti Ksera i refuzoi takimet nga shtatori 2009 – 30 janar 2011. Vetëm atëherë u bë i mundur një takim institucional i përbashkët me të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe një javë më pas një drekë kortezie. Po si na ngeci në fyt kjo drekë. Z. Ksera i dëgjoi të gjitha kërkesat e propozimet, duke marrë angazhim se do t’i shqyrtonte dhe do të jepte një përgjigje. Ne i propozuam z. Ksera një reformë të thellë në sistemin e pagesave, të legjislacionit të vendit në bazë të parimit të përbotshëm asgjë për ne pa ne. Madje, ne i propozuam dhe një marrëveshje bashkëpunimi ku Këshilli Kombëtar merrte angazhime konkrete në mbështetje të politikave të Ministrisë së Punës.
Po çfarë u bë me propozimet tona, të cilat edhe para këtij takimi i ishin dërguar atij, Kryeministrit, këshilltarëve, deputetëve miq etj.? Dreka e ofruar nga z. Ksera u shpërblye me një heshtje varri dhe më pas me vazhdimin e një regresi me cenimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Z.Ksera u konsultua për të tëra aksionet e mbrapshta në dëmin tonë, me njerëzit e afërt në dikaster, me kompani biznesi që sillen si fondacione apo qendra që ofrojnë shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
Z.Ksera shkoi edhe më larg duke përdorur autoritetin e tij si qeveritar, ai u përpoq të kontaktonte individë të pakënaqur ndaj organizatave kombëtare dhe t’i motivonte ata për të krijuar kundërryma brenda lëvizjes së personave me aftësi të kufizuara.
Madje, ai shkoi edhe më larg: Në kongresin e invalidëve të punës ku ishte i ftuar, bëri thirrje publike rreth 300 delegatëve të votonin kundër drejtuesve aktualë. Të gjitha këto sollën një dështim të hapur dhe të turpshëm, pasi nuk arriti as të krijonte kundërryma e as të ndikonte në prishjen e raporteve të brendshme të lëvizjes. Më pas ai u angazhua në një fushatë propagandistike publike në televizione dhe gazeta, duke shpalosur bëmat e qeverisë së tij, aq sa u bë i pabesueshëm, por dhe qesharak.
Por a kishte mundësi z. Ksera të sillej si një drejtues serioz, si burrë shteti, si qytetar i denjë, me ndjeshmërinë e prindit dhe fëmijës së një personi me aftësi të kufizuara? Me sa duket jo. Formimi i tij përgjithshëm kulturor dhe intelektual, teknik dhe profesional nuk ia jepte këtë mundësi. Me sa duket dhe administrata që e pasoi atë nuk u përpoq të zbatonte ligjin dhe të ishte e dobishme për të dhe politikat e qeverisë së tij, por më shumë të ishte e pajtueshme me sjelljet dhe kërkesat e titullarit të vet.
Për neve mbetet ende i pashpjegueshëm një fenomen i thjeshtë, komunikimi formal, zyrtar dhe ligjor. Gjatë 4 vite janë me qindra letra dhe shkresa drejtuar z.ministër, i cili nuk denjoi të japë qoftë edhe një përgjigje të vetme. Le të gjejë qoftë dhe një shkresë që ai ka firmosur për të na dhënë përgjigje, dhe pastaj unë do t’i kërkoj falje publike.
Z. Ksera është përgjegjës për të gjitha protestat dhe pakënaqësitë që mbi 150 mijë persona me aftësi të kufizuara dhe familjarë të tyre kanë krijuar si rezultat i sjelljeve të tij të papranueshme. Ata këtë lloj pakënaqësie e kanë shprehur nga forma nga më të ndryshmet, kanë protestuar në rrugë, media e kudo. Thelbi i zemërimit ka qenë shkelja e të drejtave, por flaka që mori dhenë ishte nga era që fryu si rezultat i përjashtimit dhe injorimit që z. Ksera i bëri këtij komuniteti.
Të verbrit e Gjirokastrës i dhanë një mesazh të qartë atij në protestën që ata bënë në Gjirokastër, para më shumë se një viti. Ata i bënë të qartë se protesta e tyre nuk ishte lokale, ishte për interesat e të gjithë të verbërve dhe aftësisë së kufizuar në nivel kombëtar. Z. Ksera nuk e lexoi dot mesazhin e tyre kur ata refuzuan të takoheshin me të, duke i thënë se problemet e tyre ishin kombëtare dhe negocioheshin vetëm nga drejtuesit qendrorë të mandatuar prej tyre.
Dështimet mjerane të tij për të krijuar kundërryma, për të korruptuar në mënyrë të ndryshme individë, për të bashkëpunuar në qendrat apo fondacionet e krijuara për interesat e tyre, duke shkelur parimin e përbotshëm asgjë për ne pa ne, duhet ta çojnë z. Ksera drejt një reflektimi të thellë, pse jo drejt një ndjese publike drejtuar personave me AK. Pjesë e reflektimit të z. Ksera për humbjen në Gjirokastër duhet të jenë edhe gabimet qe ai ka bërë ndaj personave me AK.
Unë mendoj se ai është përgjegjës para partisë së tij për pakënaqësinë që mbolli me sjelljet dhe qëndrimet e tij dhe të mos justifikohet me mungesën e financave, sepse po t’i kishte menaxhuar ato më mirë dhe në konsultim me komunitetin, do kishte zbutur e zgjidhur mjaft probleme sociale.
Le të shpresojmë që përfaqësuesi i qeverisë së re në këtë dikaster do ta njohë, do ta studiojë seriozisht eksperiencën e paraardhësit të tij dhe do të orientohet nga fryma dhe filozofia që na është prezantuar nga Kryeministri i ri dhe do të përmbushë angazhimet publike të tij ndaj personave me AK.
Megjithatë, z. Ksera ka dhe merita, ku më kryesorja është mësimi që ne na ka dhënë se duhet të shkundemi nga naiviteti me besimin te shteti baba dhe duhet të kuptojmë se për mbrojtjen e të drejtave themelore, për përmirësimin e standardeve sociale dhe ekonomike nuk duhet të presim vetëm shtetin baba, por duhet të ndërgjegjësohemi dhe të jemi dita-ditës partnerë seriozë, të fuqishëm dhe të vlerësuar nga institucioni publik.
Top Channel