Topi: Politika, jo fishekzjarre, të pranojë gabimet

18/07/2013 00:00

Një fushatë me shpenzime, premtime të mëdha dhe dhunë ndaj administratës së detyruar të ndjekë ngjarjet politike në ruajtje të vendit të punës. Kështu e ka vlerësuar kryetari i FRD-së Bamir Topi fushatën butaforike të forcave të mëdha politike në vend, ndërsa ftoi politikën të ulë kokën dhe pranojë gabimet.

“Këta që e kanë filluar me fishekzjarre, e kanë kuptuar që këto fishekzjarre nuk do arrijnë t’i shpërthejnë pas datës 23. Kjo politikë e mbrapshtë shpenzon, dikton dhe imponon që njerëzit të shkojnë në mënyrë të dhunshme duke i kërcënuar me heqjen e vendit të punës, dhe këtë po e bën në mënyrë masive. Unë besoj se do jetë mençuria e popullit shqiptar që në mënyrë racionale do të kuptojë që kjo politikë jo vetëm nuk duhet të hedhë fishekzjarre, por duhet të pranojë ato gabime që ka bërë”, tha Topi.

Ndërsa ftoi qytetarët të votojnë të pandikuar për të sjellë ndryshimin, Topi tha se Fryma e Re Demokratike do të jetë një forcë e rëndësishme vendimmarrëse dhe pjesë e Kuvendit të ardhshëm.

Duke u ndalur te premtimi i kryeministrit Berisha për heqjen e vizave me SHBA gjatë mandatit të ardhshëm, Topi tha se uron që shqiptarët të lëvizin sa më shpejt pa viza në të gjithë globin, por janë autoritetet amerikane ato që bëjnë vlerësimet dhe vendosin mbi regjimin e vizave dhe jo dëshirat e premtimet elektorale.

Në cilësinë e ish-Presidentit Bamir Topi ishte i ftuar në promovimin e librit “Triumfi i Kombit” të autorit Skëndër Kapiti në Durrës.

Top Channel