“Akuzat për doping ndaj Froome, të pajustifikuara”

18/07/2013 13:00

Forma e mrekullueshme e Chris Froome në Turin e Francës dhe mbi të gjitha aftësia e tij për të realizuar një shkëputje të pabesueshme në ngjitjen më të vështirë, në malin Ventoux në etapën e 16-të, ka bërë që të spekulohet se britaniku mund të jetë çiklisti i radhës që i drejtohet dopingut për të siguruar arritjet e tij.

Përballë këtyre spekulimeve mediatike, që dëmtojnë reputacionin e Turit, Shoqata e Çiklistëve Profesionistë reagoi këtë të enjte.

Nëpërmjet një komunikate, SHÇP u rreshtua “kundër çdo akuze të pajustifikuar ndaj Chris Froome. Sulme të tilla mediatike duhet të dënohen, pasi përbaltin dinjitetin e sportistëve. Duhet të ekzistojë një vëmendje dhe respekt më i madh ndaj të gjithë çiklistëve”, shkruhej në komunikatë.

”Nuk ëhstë e drejtë të fajësohet dikush pa prova, ndaj kërkojmë më shumë respekt për Froome dhe të gjithë çiklistët e tjerë. Jemi të detyruar të reagojmë ndaj sulmeve që dëmtojnë dinjitetin e sportistëve të ndershëm dhe të Turit të Francës në veçanti”, lexohej ndër të tjera në reagimin e Shoqatës.

Top Channel