
Buxheti është përfshirë nga një krizë e thellë likuiditeti që rrezikon
ta vendosë vendin në pamundësi qeverisje financiare për muajt e mbetur.
Të dhënat zyrtare nga financat tregojnë se deri në qershor, qeveria ka konsumuar 90.1 për qind të huamarrjes së brendshme. Në buxhetin e vitit 2013, Parlamenti e ka autorizuar qeverinë të marrë për gjithë vitin 28 miliardë lekë borxh të brendshëm.
Por deri në fund të qershorit qeveria ka marrë 25.2 miliardë, duke lënë për gjysmën e mbetur të vitit vetëm 2.8 miliardë lekë. Huamarrja e brendshme është instrumenti që i lejon qeverisë të financojë diferencën mes shpenzimeve të përditshme dhe të ardhurave që ajo mbledh nga taksat dhe burimet e tjera.
Kjo do të thotë se me gjendjen aktuale në 6 muajt e mbetur të vitit, qeveria nuk duhet të shpenzojë asnjë lek më shumë nga taksat që mbledh. Për ekspertët kjo është e pamundur sepse aktualisht ë ardhurat nuk financojnë dot as shpenzimet më të detyrueshme të buxhetit, që janë pagat, pensionet dhe interesat e borxhit.
Edhe nëse do të ngrinte tërësisht investimet, shpenzimet operative dhe ato të mirëmbajtjes si dhe transfertat për pushtetin vendor, sërish qeveria nuk mund të paguajë dot pagat dhe pensionet apo të shërbejë borxhin publik pa marrë borxh të ri. Ka patur vetëm një rast kur buxheti i shtetit është përballur me një situatë të tillë, që është ai i vitit 1997. Në atë kohë Qeveria e re u detyrua të nënshkruante marrëveshje urgjence me FMN-në njësoj si ato të vendeve afrikane.
Top Channel