Vetëm pak ditë pasi Serbia mbylli zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme në veri të Kosovës, edhe gjykatat paralele që vepronin në atë pjesë, nën sistemin e Serbisë, nuk do të pranojnë më lëndë penale.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarë të qeverisë së Kosovës, por edhe të Gjykatës së Lartë paralele në Mitrovicë.

Këshilltari i zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, njëkohësisht anëtar i ekipit profesional për drejtësi në dialogun në Bruksel, Driton Lajçi, ka thënë se ky është hapi i dytë drejt shuarjes së gjykatave paralele serbe, pasi në mes të qershorit qeveria e Serbisë ndërpreu mandatin dhe pagesat për punonjësit e tyre.

“Nga kjo periudhë, nga nesër (16 korrik) deri më 1 shtator rastet penale të cilat do të paraqiten te gjykatat paralele i trajton misioni për sundim, rend dhe ligj i BE-së, EULEX-i. Prej 1 shtatorit 2013 ekzistimi i gjykatave paralele do të jetë një histori, do të jetë një ëndërr e keqe e cila nuk do të përseritet më në territorin e Republikës së Kosovës dhe do të fillojnë së funksionalizuari gjykatat e Republikës së Kosovës në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Lajçi.

Marrëveshja e prillit në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë parashikon që autoritetet gjyqësore të integrohen dhe të veprojnë në kuadër të kornizës ligjore të Kosovës dhe që Gjykata e Apelit në Prishtinë do të themelojë një panel të përbërë me shumicë serbe të Kosovës, për të gjykuar të gjitha rastet e komunave me shumicë serbe.

Por, çfarë do të bëhet me ata gjyqtarë, prokurorë dhe stafin tjetër që deri më tani kanë punuar në gjykatat paralele të Serbisë? Lajçi thotë se do të shikohet mundësia e krijimit të vendeve përmes një procesi të rekrutimit dhe selektimit.

“Kuadri i cili ka punuar në gjykatat paralele dhe që është interesuar të rreshtohet, t’i bashkangjitet sistemit të drejtësisë së Republikës së Kosovës. Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës, Ministria e Drejtësisë, EULEX-i do të shqyrtojnë mundësinë e krijimit të hapësirave, vendeve që ata të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës”, ka nënvizuar Lajçi.

Ditë më parë në kuadër të jetësimit të Marrëveshjes së Brukselit, në gjithë territorin e veriut të Kosovës janë mbyllur 11 zyra të Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe ky proces është monitoruar nga një ekip i krijuar nga EULEX-i dhe Policia e Kosovës.

Top Channel