I shumëkërkuari nga autoritetet greke, shtetasi shqiptar Faton Sylaj, dyshohet se po fshihet në Kosovë. Menjëherë pasi u arratis bashkë me 10 shqiptarë të tjerë nga burgu i Trikalas në Greqi, sipas policisë greke, Sylaj ka arritur të hyjë në territorin e Kosovës.
Kështu raporton e përjavshmja greke, “Real News”, të cilës i referohet gazeta “Express” në Prishtinë. Pavarësisht këtyre raportimeve, autoritetet greke nuk kanë kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.
Rrjedhimisht Policia e Kosovës nuk është në dijeni nëse i arratisuri i burgjeve greke ndodhet në Kosovë, thotë zëdhënësi Baki Kelani.
“Është problem të kërkohet ndihmë kur një person nuk rezulton si i kërkuar nga organet e ndonjë shteti”, vijon Kelani, duke shtuar se në raste të tilla policia vepron pasi personi figuron në listën e Interpolit.
Të njëjtën përgjigje kanë dhënë edhe zyrtarët e EULEX-it, kur janë pyetur nga gazeta “Express”. Sidoqoftë, deri më tani as emri e as fotografia e Faton Sylajt nuk ndodhen në listën zyrtare të personave që po kërkohen nga policia.
Të 11 të burgosurit, të gjithë shtetas shqiptarë, u arratisën nga burgu i Trikalas, 320 kilometra në veri-perëndim të Athinës, me 23 mars të këtij viti në orët e para të mëngjesit. Të gjithë ishin të dënuar për grabitje dhe vjedhje.
Sylaj thuhet se ka qenë i implikuar në grabitjen e banesës së Argita Malltezit, vajzës së kryeministrit Berisha, në Tiranë. Siç bën të ditur e përjavshmja greke “Real News”, grabitja kishte ndodhur më 22 tetor 2005 dhe policia shqiptare kishte identifikuar shenjat e gishtërinjve të dy personave, njëri prej tyre, gjithmonë sipas gazetës greke, ishte Sylaj, i datëlindjes 1982.
Për vjedhjen e ndodhur në vitin 2005 në banesën e çiftit Malltezi, sipas citimeve të policisë greke, hajdutët kishin hyrë nga pjesa e prapme dhe thuhet se u morën sasi të konsiderueshme parash dhe bizhuteri.
Në fillim të muajit, forcat speciale greke të angazhuara në operacionin për kapjen e të arratisurve vranë dy prej tyre me të paktën 20 plumba në trupin e secilit.
Top Channel