Olldashi-Basha, gara e vazhdimësisë

14/07/2013 00:00

Skënder Minxhozi – Fushata e dy kandidatëve për postin e kryetarit të Partisë Demokratike, i gjeti Lulzim Bashën dhe Sokol Olldashin në një situatë surreale. Partia e tyre është ende në pushtet (në fakt, në detyrë), qeveria vijon punën formalisht pa ndryshime, Berisha firmos ngritje pagash dhe vendime rutinë, kurse ministrat e tij vazhdojnë të shpallin tenderë, të cilët lëvizin nga vendi miliona euro. Ndërkohë ata duhet të sulmojnë një qeveri, e cila ende nuk ekziston. Njihet kryeministri, por jo kabineti apo programi i saj.

E gjitha kjo, në fakt, është një vështirësi e shtuar për ata që garojnë për kreun e partisë, pasi i detyron dy kandidatët të vazhdojnë të përballen me bilancin e qeverisjes së tyre, duke mos pasur në dorë një bilanc të kundërshtarit. Dhe kur sezoni veror ka hyrë tashmë e shumëkush mendon plazhin, të fitosh vota dhe përkrahje në kushte të tilla depresioni psikologjik, ku ndodhet aktualisht votuesi i djathtë, është një ndërmarrje jo fort komode.

Kjo pozitë e pazakontë, as në qeveri, as në opozitë, i ka dhënë formë edhe taktikës elektorale që po shohim përditë nga podiumet e garës Basha-Olldashi. Nga njëra anë, qëndron kreu i bashkisë, i cili ka nisur të ngrejë zërin e të protestojë kundër një “revanshi” i cili në fakt, nëse ndodh, do të nisë pas një muaji e gjysmë. Basha flet për largime nga puna dhe për dhunë të mazhorancës së re. Dje ai deklaroi nga Myzeqeja se “opozita dhe çdo qytetar shqiptar, i cili që sot ndihet i mashtruar nga premtimet e kësaj mazhorance, duhet të përgatitet për të mbrojtur institucionet e këtij vendi nga modeli i partisë-shtet”. E gjitha kjo është një paradigmë boshe dhe pa përmbajtje. Ku janë premtimet e së majtës, prej të cilave shqiptarët ndihen të mashtruar, nëse vetë e majta e merr pushtetin në vjeshtë? Ku është partia-shtet, nëse në qeveri kemi ende “partinë-shtet” të tetë vjetëve të shkuara, që mori në dorë të gjitha pushtetet e imagjinueshme dhe në të cilën edhe vetë Lulzim Basha ka pjesën e tij jo indiferente të përgjegjësive e fajeve?!

Nga ana tjetër, edhe Olldashi flet sot për “hajdutët e LSI”, megjithëse në katër vjet bashkëqeverisje nuk tha asnjë fjalë për aleatët e tij të viteve 2009-2013. Ndërkohë që mjaft figura publike të së djathtës, ish-deputetë apo edhe zyrtarë të saj aktualë, kanë artikuluar kritika dhe kanë analizuar pjesërisht dinamikën e humbjes së rëndë të 23 qershorit, dy kandidatët zyrtarë për kreun e partisë, prej të cilëve pritej një reflektim sado minimal për atë që ndodhi, heshtin që të dy. Madje herë-herë sillen sikur i kanë fituar, e jo humbur zgjedhjet.

Është normale që një fushatë zgjedhjesh, qoftë edhe ajo brenda partisë, të shtyn objektivisht më tepër drejt frymës kontestuese, sesa drejt moderacionit. Moderimi është konsideruar rregullisht si kapitullim brenda anëtarësisë së forcave politike. Kjo është veçanërisht e vlefshme në një parti ku audienca i ka pasur të mësuara veshët me “oktavët” e larta të ligjërimit të Berishës, i cili praktikisht bërtiste, më shumë sesa fliste. E nëse Basha me Olldashin kanë vendosur tashmë që të venerojnë deri në fund liderin e tërhequr historik, edhe stili i tyre komunikues me votuesit e djathtë s’mund të jetë veçse luftarak.

Por brenda kësaj të vërtete ka edhe një anë racionale, e cila nuk mund të anashkalohet, pasi dëmton në radhë të parë vetë garuesit. Megjithëse nga gara kanë kaluar më shumë se dhjetë ditë, asnjëri prej dy kandidatëve nuk po i afrohet patates së nxehtë të përgjegjësive që sollën humbjen. PD mori më 23 qershor më tepër se një milion vota kundër. Ajo ra në minimumin historik të përfaqësimit në Parlament, duke pësuar një rënie që largoi nga kreu i partisë, pas 22 vjetësh, edhe vetë Sali Berishën. Të garosh për kokën e partisë në këto kushte, duke bërë sikur ndodhesh në një administrim të thjeshtë dorëheqjeje të një kryetari të radhës, është e pasinqertë dhe false. Basha dhe Olldashi duhen kuptuar (por jo mirëkuptuar), që i rrinë larg temës së përgjegjësive të humbjes së 23 qershorit. Ata po tentojnë ta mbajnë larg varkën, prej shkëmbinjve të zgjedhjeve, e kjo është një taktikë realiste për një mjedis toksik si ai i PD-së së sotme. Ndoshta dy kandidatët duhen kuptuar edhe për tonet e larta me të cilat fushatojnë. Pak ngjashmëri me Doktorin nuk është kurrë e keqe.

Por e gjitha kjo nuk e bën më origjinale dhe substanciale secilën prej kandidaturave. Partisë Demokratike i duhet një kryetar i ri. Ai i vjetri, me të gjithë barrën e rëndë të kontributeve, sukseseve dhe dështimeve, sot ka hapur krahun. Nevojitet një personalitet i ndryshëm. Sepse edhe uji nuk rrjedh kurrë dy herë nën të njëjtat ura. Modeli politik “Berisha” dështoi më 23 qershor, ai nuk mund të serviret si model fitues, i pagabueshëm dhe i paprekshëm.

Ndërkohë, me sjelljen e tyre, si Basha, ashtu edhe Olldashi, po e bëjnë edhe më të fortë nostalgjinë e militantëve për kryetarin e vjetër. Po duket qartë se cilido të jetë fituesi më 22 korrik, PD do të ketë një problem serioz lidershipi në të ardhmen e afërt. Duke parë këtë fushatë, kupton se vakuumi që ka lënë pas Sali Berisha në rreshtin e parë të partisë, po ndihet i fortë dhe i pakompensueshëm edhe në këtë fushatë. Sidomos kur (siç kanë vendosur dy kandidatët), ata po vijojnë pikë për pikë kursin e tij politik, pa u munduar asfare që të krijojnë një profil të ndryshëm nga ai i trashëgimisë njëzetvjeçare. Aq sa, teksa i sheh të mbrojnë në mënyrë të pakushtëzuar Berishën dhe të premtojnë “vazhdimësinë” nga njëri qytet në tjetrin, të vjen papushim në mend dilema “kur kishin origjinalin, pse i hynë garës”?!

Marre nga gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA