Gay e Powell rezultojnë pozitivë, s’ka botëror

14/07/2013 21:00

Sprintieri amerikan, Tyson Gay, ka rezultuar pozitiv për një substancë të ndaluar dhe është tërhequr nga kampionati Botëror i muajit të ardhshëm.

Gay, njeriu i dytë më i shpejtë në botë për 100-metërshin, tha se ishte njoftuar nga agjencia amerikane anti-doping, të premten, se kopja A e një testimi jashtë gare, në maj, kishte rezultuar pozitive. Kopja B e testimit nuk është kryer ende.

Menjëherë pas tij, përmes një deklarate, ka reaguar edhe Asafa Powell, atlet xhamajkan dhe medalja e argjendtë në stafetën 4 x 100 në Lojërat Olimpike, që ka njoftuar pozitivitetin ndaj substancës stimuluese oxilofrine.

“Kjo nuk është një histori sabotazhi. Thjesht i kam besuar dikujt dhe tashmë shoh që jam braktisur”, tha sprintieri 30-vjeçar, Gay. “Kam bërë një gabim. Po tërhiqem nga Monako dhe nga Botërori”.

“Dua të jem i qartë e i pastër, teksa i them familjes time, shokëve dhe mbi të gjithë fansave të mi në mbarë botën, se nuk kam qenë kurrë në dijeni apo të kem marrë me dëshirë ndonjë substancë stimuluese, që shkel rregullat”, thuhej në deklaratën e Powell.

Kampioni i botës në 2007-n Gay ka thyer 3 kohët më të mira të këtij viti. Usain Bolt është i vetmi atlet në botë, i cili ka garuar më shpejt se sa rekordi i Gay-t, prej 9,69 sekonda.

Gay fitoi 100-metërshin në lojrat atletike të Xhamajkës, në maj, me një kohë prej 9,86 sekondash, përpara se të shënonte kohën 9,75 sekonda, më e shpejta e 2013-s, për të fituar provat amerikane të kampionatit Botëror, muajin pasardhës.

Përgatitjet e tij për Botërorin e muajit gusht në Moskë vazhduan me një fitore në 100-metërshin për meshkuj në “Diamond League” në Lozanë, me 9,79 sekonda.

30-vjeçari Powell ka qenë individi i fundit që ka mbajtur rekordin për 100 metërshin, përpara se bashkëpatrioti i tij, Usain Bolt, ta thyente atë në 2008-n. Ai është ende njeriu i 4-t më i shpejtë në botë.

Top Channel