Të hënën, në ditën e fundit të afatit zyrtar për ankimimin e rezultatit të qarkut të Lezhës, burime nga Partia Socialiste konfirmojnë për Top Channel se ai do të ankimohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Përveç mënyrës sesi tabela përmbledhëse e këtij qarku u miratua nga KQZ-ja, duke përfshirë të dhënat e sistemit elektronik, Partia Socialiste do të përfshijë në ankimim edhe qendra të tjera në këtë qark. Ndërsa institucioni më i lartë zgjedhor do të nisë të hënën me hapjen e procedurave të ankimimit të LSI-së për Kukësin, mbledhja për të cilën u shty, duke bërë që KQZ-ja në këtë rast të shkelë edhe ligjin zgjedhor për respektin e afatit prej 48 orësh të shqyrtimit të kërkesës ankimore nga momenti i relatimit të tij në KQZ.  

Duke përfshirë edhe kërkesën e parë ankimore që është në tryezën e KQZ-së, pritet me interes të shihet si do të trajtohet në mungese të kuorumit prej 5 anëtarësh. Kodi Zgjedhor kërkon shumicë të cilësuar për hapjen e mbledhjes në rastet e shqyrtimit të kërkesave ankimore.

Top Channel