Rama: Vjollca është ngjyra ime e paqes

13/07/2013 00:00

Corriere Della Sera – “Identiteti im si artist është pjesë e qënies sime.
Më ka shoqëruar si ministër i Kulturës, më pas si Kryebashkiak i
Tiranës dhe do të më shoqërojë si Kryeministër.Tani duhet të nisim
menjëherë punën tonë në planin e bukurisë, që është burimi kryesor i
Shqipërisë sonë”.

Një piktor që drejton një vend, që flet në telefon nga Tirana.

Edi Rama,në drejtim të një koalicionit të qendrës së majtë ka fituar në zgjedhjet elektorale të 23 qershorit, ndaj Kryeministrit Sali Berisha, ish-mjek i shumë drejtuesve komunistë në kohës së diktaturës, Kryeministër që nga viti 2005, President i vendit nga 1992 deri në 1997, figurë e vjetër e Partisë Demokratike. Ky është një shkëmbim jo vetëm brezash, por sidomos dhe thellësisht intelektual.

Edi Rama është një artist militant. Babai i tij, Kristaqi ishte një skulptor. Ai ka ndjekur gjurmët e tij dhe ka studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura, ku më pas ka dhënë mësim.

Edi Rama është një eseist; bashkë me mikun e tij të vjetër Ardian Klosi, në vitin 1992 shkruajti “Refleksione”, një pamflet politik dhe kulturor plot me sugjerime për të ardhmen e vendit.Ishte lindja e një brezi. Në mes të viteve 90′ emigron në Paris dhe aty zhvilloi, bashkë me mikun e tij të afërt Anri Sala, personalitetin e piktorit. Ekspozoi veprat e tij në New York, Paris, Berlin, San Paolo.

Në vitin 1998 u emërua ministër i Kulturës. Por momenti kulmor, ky dy identitetet e tij si artist dhe si politikan shkuan në një rrugë të vetme, ishte në zgjedhjet lokale të vitit 2000, kur u zgjodh kryetar bashkie, detyrë në të cilën do të qëndronte për tre mandate rresht.

Fshiu ‘grinë komuniste’ nga fasadat e pallateve të Tiranës, duke e zëvendësuar atë më nje larmi ngjyrash, një ballkon i kuq, ai tjetri ngjitur blu, një mur jeshil, e kështu me rradhë.

Rama la hapësirë për improvozim. Projekti u zbatua në të gjithë qytetin dhe vuri në plan të dytë rrugët e prishura apo baltën që zotëronte zona të tëra në atë kohë.

E sot Kryeministri Edi Rama rinis nga ngjyra. Për fushatën elektorale ka përdorur ngjyrën vjollcë për sfondin e manifestimeve të tij.

Por përse kjo zgjedhje?

“Sepse forcat tona politike janë përfaqësuar gjithnjë nga bluja dhe e kuqja. Kam menduar se ngjyra vjollcë mund të ketë një kuptim të saktë, bashkimin e dy ngjyrave të tilla me krijimin e një të trete, pra paqen kombëtare. Unë jam një artist pamor, punoj shumë me ngjyrat; kemi parë shumë të bardhë edhe gri në këto vite”, thotë Rama.

Polemika e Edi Ramës lidhur me sistemin në fuqi të Sali Berishës është politike dhe estetike.

“Funksioni si Kryeministër do të jetë më kompleks. Fola për punën që duhet bërë në aspektin e bukurisë; kush e ka drejtuar Shqipërinë në këto vite ka dëmtuar territorin, panoramën. Ndryshimi ka qenë i pabesueshëm dhe brutal. Ndryshimet demografike të vendit tonë janë tepër të mëdha. Shumë njerëz kanë lënë fshatrat më të varfra dhe i janë drejtuar kryeqytetit dhe qyteteve të mëdha. Kjo ka sjellë edhe ndërtimin e objekteve të paligjshme jashtë çdo lloj lidhje me traditën tonë arkitektonike, ndërsa cilësia e këtyre objekteve është shumë e dobët. Ndërtimi ka qenë një prej levave më të rëndësishme të zhvillimit tonë, por dëmi që ka pësuar ambienti ka qenë shumë i madh”, thotë Rama.

Cfarë mendoni të bëni?

“Duhet të vendosim për atë që do të bëjmë. Në disa raste do të gjejmë mënyrën për legalizim, të vendosim rregullat, në disa raste të tjera na duhet të luftojmë. Nuk mund të vazhdohet kështu. Duhet të rimarrim në dorë kontrollin e territorit. Eshtë e domosdoshme që t’iu bëjmë të qartë shqiptarëve kuptimin e shtetit dhe institucioneve të tij”, thotë Rama.

Pra, tani Rama do të përballet me objektet që duhen shkatërruar. Dhe këtë ai nuk e bën për herë të parë. Si Kryebashkiak ai ka dha urdhër për prishjen e 500 ndërtesave që kishin mbirë ilegalisht në të gjithë kryeqytetin. I riktheu frymëmarrjen hapësirave të gjelbërta dhe parqeve. Si kryebashkiak ai urdhëroi mbjelljen e 5 mijë pemëve më shumë dhe ndërhyri nëpër rrugë dhe në ndriçimin publik.

Nëse do ju duhet të theksoni objektivin e parë të qeverisë tuaj?

“Vitet e shkuara ka patuir një rënie të frikshme të cilësisë së bashkëjetesës civile. Shumë korrupsion. Ka sjellë me vete shumë kriminalitet dhe papunësi. Pra varfëri. Vendi ynë është plot më energji të jashtëzakonshme. Për shembull, janë të rinjtë, pavarësisht valëve të emigracionit në Greqi dhe Itali. Të rinjtë janë të rëndësishëm për të ndryshuar vizionin e gjërave. Për shumë vite me radhë, nga ky këndvështrim, vendi ka jetuar në sinkron me ndryshimet nepër botë. Por politika ndërhohë, ka vepruar në një mënyrë tjetër që nuk ka patur të bënte aspak me vendin. Ne duhet të përballemi me shumë probleme. Më vjen në mend i pari: Shqipëria, është vendi i dytë në Europë sa i takon pasurive hidrike. 40 për qind e këtyre burimeve ndodhet në toka të favorshme për zhvillimin agrikulturor, pra toka pjellore. Por mungon sistemi i ujitjes. Një problem tjetër? Nuk ka në të gjithë Shqipërinë, një lagje të vemte që të ketë drita 24 orë në 24”.

Lista e problemeve është e gjatë. Do të mjaftojë një jetë si artist dhe si politikan? Ku i dihet.

Në një intervistë për “Courrier des Balkans» pak përpara fitores, ju treguat se kishit një problem me vdekjen dhe me hisorinë. Në c’kuptim?

“(qesh)  E kam thënë në një moment konfidencial. Ka dy motive të mundshme për të hyrë në politikë. I pari është të kërkosh të pasurohesh. I dyti është nevoja për të lënë një gjurmë. Ja, unë kam vërtet nevojë për të lënë një gjurmë, ndaj në këtë aspekt mbetem artist. Sa i takon vdekjes…ashtu sikurse thoshte edhe Indro Montanelli, nuk është vdekja, por është të vdesësh ajo që më tremb më shumë”, thotë Rama.

Top Channel