
Etapa e 14-të, 191 kilometra e gjatë, sërish terren i sheshtë, por mos prisni të përsëritet e njëjta garë si në etapën e 13-të. Cavendish nëse kërkon të bëjë “bis” duhet të djersisë më fort.
Etapa e 12 dhe e 13 ishin dy etapa në terren të drejtë që favorizuan sprintierët. E 12-ta u fitua nga Kittel, e 13 nga Cavendish. Por sot, në etapën e 14-të, çiklistët e tjerë s’do të bëjnë “sehir” dhe thonë se kanë nxjerrë mësim nga dy etapat e para.
Megjithatë, Cavendish mbetet specialisti i këtyre etapave dhe do të synojë që Saint Pourcain sur Sioule – Lyon, itinerari i sotëm, ta përfundojë i pari për të përfituar sa më shumë, para se të nisë “ferri”, apo etapat malore.
Britaniku Chris Froome i skuadrës së “Sky” vazhdon të mbajë fanelën e liderit dhe kryesimin në klasifikimin individual me 52 orë 2 minuta e 38 sekonda në total, ndërsa Peter Sagan ruan fanelën jeshile me 357 pikë të grumbulluara.
Ashtu si garat e tjera, edhe kjo etapë do t’ju shoqërojë drejtpërdrejtë në Top Channel duke nisur nga ora 15:35.
Top Channel