
Komplikohet transferimi i Robinho-s tek Santosi. Sulmuesi i Milanit është bërë protagonist në një polemikë me presidentin e klubit brazilian, pas vendimit të këtyre të fundit për t’u tërhequr përkohësisht nga bisedimet me kuqezinjtë për transferimin e tij.
Presidenti i Santosit tha se arsyeja e tërheqjes së tij ishin kërkesat e futbollistit, jo të Milanit.
“Milani u tregua i arsyeshëm duke pranuar një shifër nën 6 milion euro, por kërkesat e Robinho-s, janë të paarsyetuara”, tha ai.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Robinho-s. Në faqen e tij të internetit, sulmuesi brazilian reagoi duke përgënjeshtruar deklaratën e ish-presidentit të tij. “S’është e vërtetë! Për t’u rikthyer tek Santosi isha i gatshëm të hiqja dorë nga 35 përqindëshi i pagës time aktuale”, shkruajti ai.
Gjithnjë në kampin kuqezi, të reja vijnë nga merkato, por këtë herë që prekin sektorin e mbrojtjes. Ai që duket se do të dalë në shitje, pas një sezoni plot ulje-ngritje, është Antonini. Futbollistit i skadon kontrata vitin e ardhshëm dhe Milani nuk ka ndërmend të rinovojë me të.
Sipas mediave italiane, interes për të ka shfaqur Monako, që pritet të paraqitet me një ofertë në dyert e Milanit në ditët në vijim.
Top Channel