Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara kritikuan vendimin e autoriteteve ushtarake egjiptiane për të arrestuar dhjetra drejtues të lartë të “Vëllazërisë Muslimane”, si një vendim që rrit tensionet në vend.
“Nëse përpjekja juaj është gjithëpërfshirja në këtë periudhë të vështirë për Egjiptin, atëherë me këto urdhër-arreste po punoni kundër vetes tuaj”, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Jay Carney.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon paralajmëroi se përjashtimi i ndonjë force politike mund të destabilizojë më tej Egjiptin dhe të nxisë protesta të tjera të dhunshme në vend. Ai apeloi për qetësi dhe kalim të situatës së vështirë nëpërmjet dialogut.
Të premten priten protesta të tjera në Kajro, si nga mbështetësit e Morsit ashtu edhe nga kundërshtarët e tij. Të parët janë zotuar për vijimin e protestave paqësore deri në momentin kur Morsi do të rikthehet në krye të shtetit, ndërsa të dytët mbështesin vendimin e ushtrisë për rrëzimin e tij.
Mes protestuesve qendron ushtria dhe presidenti i përkohshëm i caktuar prej saj, Adyl Mansour. Mansour miratoi një kushtetutë të përkohëshme për vendin, deri në momentin e mbajtjes së zgjedhjeve të reja vitin e ardhshëm.
Ish-presidenti Morsi u rrëzua nga ushtria pas ditësh të tëra protestash dhe anti-protestash që pasuan dhjetra të vrarë e të plagosur në rrugët e Kajros dhe qyteteve të tjera të Egjiptit. Kundërshtarët e Morsit akuzojnë atë se dështoi në përpjekjet për realizimin e programit të revolucionit që rrëzoi Mubarakun, ndërsa mbështetësit e tij e quajnë largimin “një grusht shteti”.
Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar qetësi dhe kujdes në përdorimin e dhunës nga ana e ushtrisë. Shtetet e Bashkuara thanë se pavarësisht trazirave në vend, nuk do të ndërpresin ndihmën ushtarake për Egjiptin dhe se në javët në vazhdim 4 avionë luftarakë F-16 do të dërgohen në vend, ashtu sic ishte rënë dakort më parë.
Top Channel