Arben Manaj – Që sistemi shqiptar i drejtësisë është i korruptuar dhe
defektoz kjo dihet dhe dhemb, padyshim. Por dhemb më shumë kur të huajt
ta rikonfirmojnë brutalisht dhe e përdorin si shkak për në verdiktet e
tyre gjyqësore.
I tillë ishte edhe vendimi i Gjykatës Supreme të Londrës për rastin e shqiptarit Fatjon Kapri të dënuar nga Gjykata e Elbasanit për vrasjen në kryeqytetin britanik në 2001-in të bashkëkombësit të tij, Ylli Pepa.
Me pak fjalë, avokatët e Kaprit përdorën si argument ligjor për mosekstradimin e tij në Shqipëri, sistemin e korruptuar shqiptar.
Në vendimin e Gjykatës së Lartë të Londrës të drejtuar nga zv.kryetari i saj, Lordi Hope, për këtë rast thuhet se pretendimet për korrupsion të sistemit shqiptar të drejtësisë duhen marrë seriozisht.
“Natyrisht është e vështirë të shkojmë te faktet e vërteta. Por ku ka tym, ka zjarr dhe aty ku pretendimet për korrupsion janë në masë, ato duhen marrë seriozisht.
Po aq seriozisht duhet marrë edhe fakti se ku mund të çojë korrupsioni kur ai prek tërë sistemin. Ai mund të përfshijë thjesht ryshfete për gjyqtarët dhe zyrtarët e gjykatave ose mund të përfshijë edhe ndërhyrjen në sistemin e drejtësisë për arsye politike të një natyre akoma më malinje dhe perfide.
Dënimet e padrejta mund të rezultojnë në vazhdimin e këtij sistemi dhe mbajtjen lart të çmimeve. Ata që janë të familjarizuar me sistemin mund të dinë sesa lipset të paguajnë apo se çfarë duhet të bëjnë për të garantuar një vendim të favorshëm. Ata që nuk janë të familjarizuar me të mund të ndodhen akoma më të dizavantazhuar”.
Pala mbrojtëse e mbështeti pretendimin se sistemi shqiptar i drejtësisë është i korruptuar, duke u bazuar në një numër raportesh mes të cilave atyre të Komisionit Europian, Agjencisë Suedeze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, apo edhe të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Doemos që ka shumë mënyra për ta trajtuar këtë të vërtetë rrëqethëse dhe irrituese njëkohësisht.
Nëse dikush do bënte avokatin e djallit të sistemit të korruptuar do argumentonte se drejtësia nuk është ashtu siç thuhet, madje edhe në raportet e institucioneve të respektuara ndërkombëtare, pasi ka gjyqtarë të ndershëm dhe të përkushtuar që operojnë në kushte dhe rrethana shumë të vështira.
Dhe këtu edhe mund të kenë deri diku të drejtë, aq sa mund të kenë të drejtë se drejtësia ka bërë hapa përpara dhe po përafrohet gjithnjë e më shumë me teorinë dhe praktikën më të mirë perëndimore, edhe pse me sforco të jashtëzakonshme.
Sakaq, kritikët e saj mund t’i përmbahen pikërisht korrupsionit sistematik të sistemit dhe një gjyqësori, ku paraja dhe ryshfeti, sekserët gjyqësorë dhe ndërhyrjet, qoftë edhe politike e bëjnë drejtësinë shqiptare si gjënë identifikuese më të afërt që u vjen ndërmend shqiptarëve dhe të huajve kur duan të ilustrojnë fenomenin e korrupsionit.
Ky vendim i Gjykatës së Lartë të Londrës, mund të jetë edhe një referim skolastik dhe një shfrytëzim tipik juristësh të zotë, të raporteve ndërkombëtare, pa njohur në detaje mënyrën se si funksionon dhe progresin qoftë edhe të pakët dhe modest, që mund të ketë bërë drejtësia shqiptare.
Ai mund të reflektojë edhe paimagjinueshmërinë, apo edhe naivitetin pozitiv të një kalibri mjaft të lartë gjyqtarësh britanikë për format prehistorike të korruptimit, të cilat falë sistemit dhe modelit anglo-sakson, janë po aq larg dhe të ftohtë sa Antarktida, ndaj idesë ose praktikës së interferimit korruptiv apo edhe atij politik në sistemin e drejtësisë.
Pavarësisht nga interpretimi, një gjë mbetet konstante dhe shqetësuese; pikërisht perceptimi dhe referimi që i bëhet drejtësisë aktuale shqiptare si e korruptuar sistematikisht.
Kushdo që do drejtojë drejtësinë shqiptare të Rilindjes, qoftë edhe avokati Ngjela, më adapti për mua, si njohës ekselent i sistemit anglo-sakson të drejtësisë, paradigma perfekte aspiruese për një shoqëri si ajo shqiptare, do të ketë përballë një “mur të madh kinez” për të ngjitur dhe kapërcyer, që të paktën, nëse nuk do të eliminohen ato praktika korruptive që na fusin në raportet ndërkombëtare në pasazhet për drejtësinë, të paktën të ndryshojë perceptimi dhe që korrupsioni aty ku jepet drejtësi po asfiksohet.
Shqiptarët aq sa duan një standard më të mirë dhe shanse më të shumta për t’u afruar sa më shpejt me vendet e BE-së, duan padyshim edhe një qetësi shpirtërore dhe besim se nëse jeta u ofron, siç ofron zakonisht, një padrejtësi apo sfidë ligjore, cilidoqoftë vendimi që do jepet nga togat e zeza të jetë i drejti dhe i pakontestuari, apo që në fund të fundit, dhe në rastin më ideal, delikuenti të paktën në vetminë e qelisë t’i thotë vetes që mora atë që meritoja dhe të mos ketë iluzion se mund ta blejë lirinë e pamerituar.
Në fund të fundit, 23 qershori ishte ai që rezultoi nga vota e shqiptarëve edhe sepse ata duan më shumë drejtësi.
Edhe pse nuk guxoj të ëndërroj se pas një mandati drejtësia shqiptare do të jetë anglosanksone, të paktën të fillojë të marrë trajta anglo-shqiptare.
Vendimi i Gjykatës Supreme të Londrës do të duhet të jetë pa mëdyshje një arsye tjetër madhore nxitëse për të pasur një sistem drejtësie krejtësisht tjetër, nga ky që kemi sot.
Gazeta “Shqip”
Top Channel