Merkato, klubet në gjueti të “peshkut të madh”

12/07/2013 00:00

Real Madrid, Manchester City, PSG, Monaco, Bayern dhe Chelsea janë për momentin klubet më aktive në këtë merkato verore. Emrat që pritet të qarkullojnë tek këto klube janë as më pak e as më shumë por ata më me peshë në botën e futbollit.

Ibrahimovic. Më aktivët duket se janë anglezët e City-t, që pas këmbënguljes për Jovetic, që mediat italiane thonë se është e realizuar tashmë, janë hedhur në sulm për Ibrahimovic. Sulmuesi shtatlartë suedez mund të lihet i lirë nga PSG pasi me mbërritjen e Cavanit, mungesa e tij nuk do të ndjehej. Sipas mediave francez, agjenti i Zlatan, Mino Raiola, pas takimit me drejtuesit e Realit të Madridit, është takuar edhe me ata të City që janë vënë në kërkim të një emri të madh pas largimit të Mario Balotellit tek Milani dhe Carlos Tevez tek Juventusi.

Ronaldo. Duket thuajse i pashitshëm, nisur edhe nga shifra e lartë që duhet të derdhet në arkat e Realit për ta lënë të lirë. Shumë klube as që guxojnë t’i afrohen, por jo Monaco. Skuadra e principatës, që ka bërë të sajin tashmë Falcaon dhe disa emra të tjerë të mëdhenj, thuhet se po përgatit një ofertë stratosferike për Realin nëse asi portugez vendos të mos firmosë. Nuk ka detaje mbi shumën, por ajo me siguri tejkalon 100 milion eurot.

Illarramendi. Talenti i mesfushës së Real Sociadad, protagonist i një sezoni të shkëlqyer nga gushti do të luajë për Realin e Madridit. Sipas “Marca”, madrilenët kanë derdhur 30 milion euro në arkat e Sociedad për shërbimet e 23-vjeçarit, që ka firmosur një kontratë 5-vjeçare ku do përfitojë 2.5 mln euro në sezon.

Thiago Alcantara. Bayern i ka paguar 18 milion euro Barcelonës për të siguruar mesfushorin e ri, që kërkohej me ngulm edhe nga Manchester United. Konsiderohet një lojtar i Bayern, pavarësisht se mungon vetëm zyrtarizimi.

Rooney. Mou u rikthye tek Chelsea i tij, ndërsa Ferguson u tërhoq duke zgjedhur si pasues David Moyes. Marrëdhëniet e këtij të fundit me sulmuesin Rooney nuk janë fort të ngrohta. Nga kjo po përpiqet të përfitojë Mourinho që del hapur. “Rooney më pëlqen si lojtar, por është ende futbollist i Manchester United”, tha Mou.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta