“Maracana”, finale pa bori dhe lakuriqësi

12/07/2013 03:30

Planet e fundit kontroverse, që përfshijnë ndalimin e tifozëve pa veshje dhe në këmbë, në stadiumin “Maracana” të Rio de Janeiro-s, po shkaktojnë protesta të fuqishme në Brazil.

Mjetet e zhurmshme dhe shufrat e flamujve, të cilat përdoren tradicionalisht nga grupet e tifozëve, mund të ndalohen gjithashtu, bënë të ditur drejtuesit e rinj të stadiumit.

Kritikët i kanë quajtur këto plane si masa “kolonizatore” dhe “borgjeze”, pas modernizimit prej 450 milionë dollarësh të stadiumit. “Maracana” është rinovuar pothuajse tërësisht, për të pritur finalen e Botërorit të vitit të ardhshëm.

Planet u njoftuan nga presidenti i konsorciumit në zotërim të stadiumit, Joao Borba. “Ne do të flasim me klubet, me synimin për të ndryshuar sjelljen e tifozëve. Po i referohem shkopinjve të bambusë, që përdoren shpesh për flamujt, daulleve, si dhe shikimit të ndeshjes në këmbë. Ne nuk kemi aspak vend për këto sjellje”, tha Borba për gazetën “Extra”, në Rio de Janeiro.

Këto ndryshime janë të destinuara për ruajtjen e komoditetit, sigurisë dhe aksesueshmërisë së tifozëve, shpjegoi ai.

Por, në një qytet, ku shëtitjet me pantallona të shkurtra dhe shapka me gisht janë po aq të zakonshme, sa veshjet e meshkujve me kostume e kravata, të shumtë janë ata që nuk besojnë se këto ndryshime mund të implementohen.

Tifozët përdorën blogje të ndryshme dhe mediat sociale, për të shprehur irritimin e tyre ndaj këtij plani. “Në Maracana-n e ri, ikonën e futbollit që i është nënshtruar transformimit, një luftë i është deklaruar njerëzve”, shkroi një përdorues blogjesh, nën titullin “Kolonizimi i Maracana-së”.

Top Channel