Kukësi, debutim historik me kualifikim

11/07/2013 21:30

Debutimi në kupat e Europës ka rezultuar historik për një skuadër modeste si Kukësi, që është kualifikuar për në raundin e dytë eliminator të kompeticionit më të vogël futbollistik kontinental.

Në një finale emocionuese, në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Qemal Stafa”, ekipi verilindor ka dominuar totalisht në 90-minutëshin e zhvilluar ndaj Flora Talin, por, edhe pse ka barazuar pa gola, kalon në turin tjetër falë barazimit 1-1 në Estoni.

Sfida në impiantin kryeqytetas nisi nën dritën e diellit, por përfundoi mes prozhektorëve të “Qemal Stafës” dhe nën brohoritjet e qindra tifozëve kuksianë, që festuan kualifikimin historik.

Duke iu rikthyer ndeshjes, ekipi shqiptar e nisi vrullshëm lojën, me disa raste të pastra në portën e estonezëve. Falë edhe grintës, së inspiruar që nga pankina prej trajnerit Armando Cungu, kuksianët u rreshtuan me radhë në kuadratin e Flora Talin, por pa mundur të tundin rrjetën.

Në limitin e 15-minutëshit të parë, Hoxha pati një shans të artë, por u tregua i pafat, ndërsa edhe goditja e këndit që pasoi, nuk e prishi barazpeshën. Serbi Popovic dhe Enkel Alikaj morën në dorë frenat e sulmit, por fati nuk ishte në anën e Kukësit.

Starti i fraksionit të dytë nisi me një kundërsulm të bukur të kuksianëve, por penalltia në lëvizje e Alikaj u devijua nga portieri estonez. Ndeshja mori përmasa dramatike, kur arbitri zvicerian nxorri me karton të kuq Besar Musollin, pas një reagimi të ashpër për faullin që pësoi.

Por, ky ishte vetëm një nga shumë vendimet e diskutueshme të gjyqtarit helvet. Zëvendësimet e trajneti Cungu rifreskuan lojën, ndërsa, edhe pas 5 minutave shtesë, Kukësi ruajti me fanatizëm barazimin, që e kualifikon në fazën tjetër.

Ka dështuar totalisht skuadra tjetër shqiptare, Teuta, e cila humbi 2-0 në kryeqytetin moldav ndaj Dacias, duke lënë kompeticionin. Durrsakët kishin fituar 3-1 në sfidën e parë, por, këtë herë, moldavët u imponuan pastër, duke u kualifikuar falë rregullit të golit në fushë kundërshtare.

Laçi, skuadra tjetër shqiptare, që merrte pjesë në këtë kompeticion, u eliminua të martën, pasi humbi 2-1 takimin ndaj Diferdange 03. Laçianët kishin humbur edhe ndeshjen e parë ndaj modestëve nga Luksemburgu, me rezultatin 1-0.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA