Fernando Alonso, gjatë tre viteve të tij me Ferrarin, është paraqitur në një nivel më të lartë se njëvendëshja legjendare. Spanjolli nuk ka fituar dot titullin kampion për mungesën e rendimentit të “Kokëkuqes” dhe për këtë gjë janë dakord të gjithë specialistët dhe njerëzit e botës së Formulës 1.
David Coulthard, ish-pilot i McLaren, theksoi para disa ditësh se Alonso mund të largohet nga Ferrari pasi është mërzitur me pilotimin e një makine të ngadaltë, por vetë spanjolli ka shprehur edhe një herë tjetër dëshirën për të vazhduar aventurën e tij me markën italiane.
“Nëse do të vazhdoj të jem në Formulën 1 edhe pas vitit 2016, është e sigurtë që do të jem pilot i Ferrarit. Cdo kampion i madh duhet ta provojë Ferrarin. Është më shumë se një ekip i Formulës 1. Ky sport nuk mund të konceptohet pa Ferrarin. Ekipet e tjera ikin e vijnë, Ferrari nuk “vdes” kurrë”, theksoi Alonso.
Më pas, spanjolli shpjegon se si ndihet pa një titull kampion që nga viti 2006: “Jam i lumtur me rendimentin tim. Kur fitova dy titujt me Renault, filluan të më konsideronin si një pilot shumë të mirë. Ndërsa sot, edhe pse nuk kam fituar me Ferrarin, konsiderohem si një nga më të mirët në qarkullim. Ndihem më i vlerësuar.”
Top Channel