Mustafa Nano – Rama e ka përuruar me mesazhe të paqta e ngushëlluese
stinën e tij. Në të gjitha herët që ka folur, ka synuar të përcjellë
idenë, se epoka konfliktuale e politikës ka ikur njëherë e mirë.
Në fakt, nuk është se ai ka në dorë gjithçka në këtë drejtim (Olldashi e Basha po tentojnë të kapin kreun e partisë së tyre duke u marrë ende me kundërshtarin, që sapo i ka mundur rëndë), por Rama ka në dorë t’i japë fund praktikës e traditës së një kryeministri e të një pushteti që merret me opozitën e me opozitarët, që i fyen këta të fundit, që nuk ulet me ta për të gjetur zgjidhje konsensuale (kur është rasti). Dhe gjasat janë që ai ta ketë në mendje, e ta vërë në jetë, një sjellje të tillë kryeministrore.
Në këtë pikë pra kemi të bëjmë me një sjellje të lavdërueshme të Ramës. Të paktën, deri në këtë moment. Por ka nja dy sjellje të tjera të Ramës që nuk të bindin në këtë hov të parë, dhe që e nxjerrin atë, në rastin më të mirë, në një dritë naive. Së pari, ai ka zënë të përcjellë idenë, edhe pa e artikuluar atë, se pas 23 qershorit, Shqipëria shpëtoi. Është një optimizëm që ai e bart kudo që shkon, e që nuk bën asnjë përpjekje për ta fshehur. Dhe të jep përshtypjen se nuk e ka nga “droga” e fitores, që s’i ka dalë akoma, por e ka, ngaqë beson vërtet. Këtë përshtypje të jep.
Mirëpo punët nuk duket se janë kështu. Ok, ikja e Berishës nuk është pak, dhe kjo ikje, pavarësisht nga çfarë do të ndodhë më pas pa të, është në vetvete një lajm i madh, është një nga pak ngjarjet e mëdha e të rëndësishme në historinë 100-vjeçare të Shqipërisë. Dhe kanë për t’u bindur kollaj të gjithë se është tamam kështu, në mos kanë zënë të binden qysh tani, se ka filluar, në mos tjetër, një epokë e normalitetit (të vetmet situata e gjeste anormaliteti vijnë sërish prej Berishës, që po sillet sikur 23 qershori s’ka ndodhur; por do t’i kalojë qyqarit).
Përsëris, nuk është pak, por kjo “arritje” do të harrohet shpejt. Më saktë, do të mësohemi shpejt me të, siç mësohemi aty për aty me gjërat bazike që i rikuperojmë në një rrethanë të caktuar; e kështu do të harrojmë që “normaliteti” na ka munguar për 23 vjet. Shumë shpejt do të bërtasim nevojën tonë për arritje të tjera, dhe pikërisht këto të tjerat nuk janë “bukë me djathë”, siç lë Rama të kuptohet se janë, edhe kur bën me dije se “Shqipëria që po merr në dorëzim do të jetë e rrënuar, dhe se arka e shtetit do të jetë bosh”. Askush, as Rama, nuk ka një panacea, me të cilën mund të kurojmë sëmundjet e problemet e këtij vendi, të cilat janë të shumta, janë kapilare, janë endemike, janë të thella, kanë lidhje me tipare tonat idiosinkratike, na vijnë nga historia (e hershme dhe e vonë), por na vijnë edhe nga zhvillime e dukuri korrente, siç janë, mes të tjerash, institucionet dhe administrata të ndërtuara me logjikë tribale e partiake, dhe partitë politike, entitetet sociale më të korruptuara të vendit. Dhe një nga këto entitete është Partia Socialiste. Një tjetër është Lëvizja Socialiste për Integrim. Të dyja kanë marrë mandatin për të qeverisur këtë vend.
Sigurisht, të qeverisësh shqiptarët është relativisht e lehtë, pasi ne, shqiptarët pra, jemi mësuar të jetojmë me pak e jemi mësuar të ulim kurrizin para çdo lloj pushteti. Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e kollajtë, kur vendi del nga një qeverisje si kjo e Berishës; zakonisht, të gjithë e mbajnë të ulur stekën e pretendimeve kur dalin nga një situatë e vështirë. Këto ka parasysh Rama, kur krijon idenë se çdo gjë do të rrjedhë si në vaj tash e tutje? Ndoshta. Por një qeverisje e suksesshme nuk mund të ngrihet mbi stekën e ulur të qytetarëve. Mbi këtë stekë të ulur mund të ngrihet një qeverisje jetëgjatë, por jo një qeverisje e suksesshme. Pastaj, nuk është e thënë që steka të mbahet ulët nga shqiptarët. “Normaliteti” që do të pasojë (me normalitet kuptoj dhe krijimin e një klime të relaksuar socio-politike, në të cilën njerëzit do të jenë më të lirë; unë e besoj fuqimisht këtë gjë) do t’i kthehet kundër qeverisë që “e krijon”. Në situata normale njerëzit zënë e ngrenë natyrshëm atë stekën, për të cilën fola pak më sipër, zënë e mobilizohen dhe protestojnë shumë më kollaj, ndihen jo vetëm më të papenguar, por edhe më të inkurajuar për ta bërë këtë, dhe kjo do të përbëjë, jo një medalje për t’u varur në qafë nga qeveria, por një barrierë në qeverisje.
Së dyti, duhet t’i trembemi një lloj amatorizmi në qeverisje. Sidomos në kohët e para. Në rastin tonë është një amatorizëm që vjen edhe prej përmasave të fitores, të cilat ndonjëherë ta sjellin fitoren edhe si një autorizim për të bërë improvizime të llojllojshme. Një gjest amatorial, i improvizuar dhe populist m’u duk apeli që Rama u dërgoi para dy ditësh të gjithëve shqiptarëve, që kanë në mendje një ide, a një dëshirë, për të marrë pjesë në projektin e Rilindjes. Duket si ide gjenuine, e ndoshta me këtë synim është shpikur, por nuk ka gjasa që të funksionojë. Madje, të sillet si ideja e Berishës para tetë viteve për të bërë publik numrin antikorrupsion të telefonit, ku me demek do të përgjigjej ai vetë, në vetë të parë. Dhe nuk na u deshën shumë kohë e prova për të kuptuar se ai numër telefoni antikorrupsion ishte shpikur për t’na hedhur hi syve në rrethanat kur ai kish vendosur të bënte krejt të kundërtën, kish vendosur të ngrinte një sistem tërësisht e frikshmërisht të korruptuar, të cilin mund ta mbante më kollaj nën hyqëm. Apeli i Ramës pra, që gazetat e kishin raportuar me titujt “Rama hap zyrë punësimi; u kërkon CV-të shqiptarëve”, mund të merret edhe si një escamotage për të fshehur planin që mund të ketë, tok me Ilir Metën, për të ripushtuar administratën publike në stil klientelist, nepotik, partiak.
“Mos u nxito, pasi nuk i dihet”, mund të më thotë dikush. “Mos e paragjyko tjetrin pa i parë veprat!”, mund të thotë dikush tjetër. E ndoshta, kanë të drejtë. Rama mund të jetë shumë qëllimmirë në këtë histori. Por kjo lëvizje mbetet amatoriale, gjithsesi. Festivali i CV-ve që hapi Rama pardje nuk të çon asgjëkund. Qofsha i gabuar, por mendja më thotë se kjo nismë, edhe në rrethanat që është qëllimmirë, nuk mund të funksionojë. Është e destinuar të ngecë, të dështojë. Ka forma të tjera rekrutimi e promovimi, të cilat nuk kanë efekte propagandistike, por janë të thjeshta, konkrete, praktike, eficente. Këto forma nuk garantojnë një administratë të shkëlqyer, por garantojnë një administratë të qëndrueshme e të mbrojtur nga oreksi i hordhive të klientëve të partive. Është kjo, për të cilën ne kemi nevojë në këtë moment.
Top Channel