Noka: Drejtësinë e pres nga Kolegji

10/07/2013 19:35

Arben Noka, mandati i të cilit lëvizi drejt koalicionit të djathtë pas miratimit të tabelës përfundimtare në KQZ, e cilëson këtë vendim antiligjor dhe katër anëtarët e këtij institucioni të përdorur politikisht.

“Veprimi është i padrejtë. Ne jemi 740 vota përpara dhe sistemi elektronik nuk përbën bazë ligjore për t’u përdorur në rezultatin final. Ne bazohemi në procesverbalet që janë firmosur pa kontestime nga të gjithë anëtarët e ZAZ-së 13”, deklaron Noka.

Kandidati i Partisë Socialiste thotë se, në vend që KQZ të gjykonte publikisht komisionerët që kanë firmosur në unanimetet procesverbalet, duhet të hetojë shkeljet e rënda ligjore në qarkun e Lezhës. Për këtë ai shton se ka të faktuar për votimin fiktiv në këtë qark.

“Në zonën e Kurbinit është votuar 30 herë nga një person. Ne kemi prova që do t’i paraqesin në Kolegjin Zgjedhor pasi të kemi bërë ankimimin. Në këtë zonë është votuar në masën 94 për qind, e pandodhur më parë në Shqipëri dhe sipas sistemit TIMS rezulton se 70 për qind e tyre nuk kanë qenë fare në Shqipëri”, thekson Noka.

Arben Noka thotë më tej se vendosjen e drejtësisë në vend tashmë e pret nga Kolegji Zgjedhor, për t’i kthyer siç shprehet ai besimin votuesve të Lezhës, që për herë të parë kanë votuar në masë të qartë dhe të dukshme për koalicionin e udhëhequr nga Partia Socialiste.

Top Channel