
Me kohën e shkëlqyer të vendosur në kronometër, Chris Froome shndërrohet në favoritin kryesor për të fituar këtë Tur të Francës.
Në etapën e 11-të të Turit, Froome arriti të fitonte një avantazh prej dy minutash nga Valverde dhe 2 minutash e 3 sekonda nga Contador, dy rivalët e tij kryesorë.
Megjithatë, britaniku me origjinë afrikanojugore nuk mendon ende se Turi është i fituar. “Dëshiroja të krijoja një diferencë të rëndësishme, për të pasur mundësinë që të administroj avantazhin në etapat malore që na mbeten përpara e ku ka mbase çiklistë më të përgatitur se unë”, deklaroi me modesti Froome.
“Ajo që kam të qartë është që nuk e kam fituar ende Turin. Mbeten edhe shumë etapa të vështira, por pozitivja është që jemi në rrugën e duhur. Kam një ekip shumë të fuqishëm dhe që do të më ndihmojë të administroj avantazhin. Për sot jam shumë i kënaqur me rezultatin, edhe pse nuk arrita të isha fitues i etapës. Në dy kilometrat e fundit vuajta disi lodhjen, por kjo është meritë e Tony Martin, i cili bëri një punë të shkëlqyer”, shtoi Froome.
Top Channel