F1, Lotus kërkon të rinovojë me Raikkonen

10/07/2013 15:35

Kur Mark Webber njoftoi në Silverstone se do të tërhiqet nga Formula 1 në fund të këtij sezoni, emrat e Daniel Ricciardo, Jean-Eric Vergne dhe Kimi Raikkonen dolën si zëvendësuesit e tij të mundshëm tek Red Bulli.

Nga këta tre pilotë, ai që duket se ka më shumë mundësi për tu përzgjedhur është finlandezi i Lotusit, kampion bote me Ferrarin në vitin 2007, por skuderia franceze kërkon që ta mbajë ende Raikkonenin.

Bashkëpronari i ekipit Lotus, Gerard Lopez, deklaroi: “Tek Lotusi ne i bëjmë gjërat në një mënyrë që Kimit i shkon shumë për shtat. Jemi shumë njerëzorë në sjelljen me punonjësit dhe për këtë arsye ky ekip është më i përshtatshmi për Raikkonen. Ne i lëmë hapësirën e tij dhe mungesa e hapësirës tek ish-ekipet e tij ka bërë që ai të mërzitet në vitet e kaluara.”

Drejtuesit e Lotusit do të mblidhen me përfaqësuesit e pilotit finlandez këtë javë për t’i bindur që të rinovojnë edhe për vitin 2014. Në rast se Kimi Raikkonen do të bashkohet me Red Bullin, Nico Hulkenberg dhe Paul Di Resta janë emrat e zëvendësuesve të tij.

Top Channel