Pasi fitoi gjithçka që mund të fitohej në sezonin e shkuar me fanelën e Bajernit të Mynihut, Mario Gomez iu bashkua zyrtarisht Fiorentinës këtë të hënë.
Lajmi u konfirmua në faqen zyrtare të Bajernit. Vlera e këtij operacioni nuk është bërë e ditur për mediat, por besohet se të dy klubet ranë dakord mbi bazën e 20 milionë eurove.
Për Gomez kishte shfaqur interes edhe Napoli me Manchester City, por 27-vjeçari duket se ishte ai që kërkoi të kalonte tek Fiorentina, për shkak të dëshirës së tij për të luajtur në Serinë A, në një prej qyteteve të tij të preferuara europiane, në Firence.
Marrëveshja e realizuar me pëlqimin e futbollistit ndodhi pasi si Gomez, ashtu Bajerni pranuan një zbritje të fitimeve, pasi Fiorentina paguante më pak se dy skuadrat e tjera si për vlerën e futbollistit, ashtu edhepër pagën e tij.
“Ishte dëshira e Gomezit për të kërkuar një aventurë të re dhe Fiorentina ishte skuadra e përzgjedhur prej vetë futbollistit, të cilin e falenderojmë për kontributin e dhënë për të gjithë sukseset e arritura gjatë qëndrimit të tij në klub”, deklaroi drejtori ekzekutiv i bavarezëve në faqen e internetit të klubit.
Top Channel