F1, Vettel: Raikkonen në skuadër? Më pëlqen

08/07/2013 00:00

Ditët e fundit është folur shumë për një kalim të Kimi Raikkonen tek skuderia Red Bull dhe kjo ide i pëlqen shumë edhe pilotit kryesor të këtij ekipi, Sebastian Vettel.

Pas fitores në Nurburgring, gjermani theksoi se do i pëlqente ta kishte shok skuadre pilotin finlandez të Lotus, i cili në garën e Gjermanisë përfundoi në vendin e dytë.

“Për mua do të ishte një sfidë e madhe. Kimi gjithmonë ka qenë i sinqertë dhe i ndershëm si kundërshtar. Gjithsesi, nuk më takon mua të vendos”, deklaroi tre herë kampioni i botës.

Kimi Raikkonen dhe pilotët e Toro Rosso, Daniel Ricciardo dhe Jean-Eric Vergne, janë kandidatët për të zëvendësuar australianin Mark Webber, i cili do të largohet nga Formula 1 në fund të këtij sezoni.

Christian Horner, shefi i skuderisë, ka deklaruar se do të jetë pronari Dietrich Mateschitz ai që do të marrë vendimin përfundimtar se kush pilot do të ketë në dispozicion një makinë Red Bull sezonin që vjen.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta