Me fitoren e tij në Uimbëlldon, Andy Murray i dha fund pritjes 77-vjeçare, që britanikët kishin që prej suksesit të fundit të një bashkëkombasi të tyre në atë që është një prej aktiviteteve më prestigjiozë të tenisit në botë.
Një pritje e gjatë, gjatë së cilës tre monarkë dhe 15 kryeministra në detyrë nuk kanë parë një fitues britanik në barin e Grand Slaemit të vetëm në botë në këtë sipërfaqe dhe për kryeministrin e Britanisë, Murray meriton të nderohet me titullin “Sir” për këtë sukses.
“Nuk më vjen ndërmend dikush që mund ta meritoj më shumë këtë nder”, deklaroi Cameron, i cili ndoqi suksesin 6-4, 7-5, 6-4 në finalen me Djokoviç nga tribuna VIP.
“Nuk më takon mua që të vendos nëse atij do t’i takojë ky privilegj, por në mendimin tim, ky titull do të ishte tërësisht i përligjur. Ditën përpara ndeshjes shumë pak e mendonin si të mundur, por me një këmbëngulje dhe talent të paarritshëm, Murray na bëri të gjithëve krenarë”, shtoi kryeministri.
Titulli Sir është një privilegj që mund ta ofrojë vetëm Mbretëresha dhe i pyetur nëse shpreson tek ky nderim, tenisti skocez zgjodhi një përgjigje diplomatike: “Është një nder i veçantë që po përflitem, por nuk e di në kam bërë mjaftueshëm për ta merituar”.
Top Channel