Aksident tragjik me 4 viktima

08/07/2013 00:00

Një aksident me pasoja tragjike është shënuar pasditen e së hënës në aksin Elbasan-Librazhd, pranë fshatit Xibrrakë. Si pasojë e përplasjes së 3 mjeteve, 4 persona humbën jetën, ndërkohë që disa të tjerë u plagosën rëndë.

Sipas informacioneve nga vendi i ngjarjes, një mjet tip BMW, për shkak të një parakalimi të gabuar, i ka prerë rrugën një fugoni pasagjerësh të linjës së Librazhdit.

Në tentativë për të evituar përplasjen, drejtuesi i fugonit ka devijuar, duke i prerë rrugën një kamioni, i cili më pas përplasi të dy mjetet. Mjetet e përfshira në aksident janë makina BMW me targa AA 971 EA, fugoni me targa LB 001 A dhe kamioni KO 7579 B.

Kanë qenë dëshmitarët në vendin e ngjarjes, ata që lajmëruan menjëherë policinë, por, me gjithë ndërhyrjen e uniformave blu dhe të shërbimit zjarrfikës, ka qenë mjaft e vështirë nxjerrja e të plagosurve nga fugoni, për shkak të dëmtimit të rëndë të mjetit.

Për rreth 30 minuta, të plagosurit nuk kanë mundur të dalin nga mjeti i përplasur. Për shkak të dëmtimeve të rënda, që kanë pësuar viktimat, ka qenë mjaft i vështirë identifikimi i tyre, madje policia bëri thirrje për ndihmë, për të bërë të mundur identifikimin e tyre.

Sipas informacioneve zyrtare të policisë së Elbasanit, është bërë i mundur identifikimi i 50-vjeçarit Fetah Çela dhe bashkëshortes së tij, 48-vjeçarja Ryfete Çela, nga Elbasani.

Ndërsa dy viktimat e tjera janë nënë e bijë, 69-vjeçarja Salushe Kullalli dhe vajza e saj, 49-vjeçarja Nasibe Shehi.

Ndërkohë, shërbimet e ambulancës kanë dërguar për në spitalin rajonal të Elbasanit të plagosurit, për të marrë ndihmën mjekësore, nga ku mësohet se gjendja e tyre është e rëndë.

Në rrezik për jetën ndodhet edhe drejtuesi i mjetit tip fugon, Eduard Askuti, i cili është nisur menjëherë për në Spitalin Ushtarak.

Elbasan, aksidentohet polici i trafikut

Një punonjes i policisë rrugore është aksidentuar sot në qytetin e Elbasanit teksa patrullonte gjatë orarit të punës.

Ngjarja eshte shenuar ne lagjen “11 Nentori”, ku sipas policise efektivi Faik Çollaku eshte perplasur nga nje makine teksa drejtonte motorrin me targa te policise shqiptare 659.

Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se makina që përplasi policin drejtohej nga një shtetas turk, i cili është shoqëruar në komisariat per tu marre ne pyetje lidhur me ngjarjes.

Ndërkohë polici i plagosur është dërguar me urgjencë në spital, prej ku mësohet se është jashtë rrezikut për jetën. Mbeten ende të paqarta shkaqet e aksidentit, ndërsa policia po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Top Channel