Wimbledon, Murray fiton titullin historik

07/07/2013 18:50

Andy Murray ka fituar titullin e tij të parë në Wimbledon, duke i dhënë fund pritjes 77-vjeçare të Britanisë për një titull të tillë, në garat individuale për meshkuj, pas një fitoreje të shkëlqyer ndaj numrit 1 në botë, tenistit serb Novak Djokovic.

Skocezi 26-vjeçar triumfoi në një ndeshje dramatike finale, me setet 6-4, 7-5 dhe 6-4, duke fituar kështu edhe titullin e dytë madhor personal.

Në një atmosferë reminishente të fitores në finalen e Olimpiadës, verën e kaluar, Murray u nxit më shumë edhe nga shumica e 15 mijë spektatorëve të pranishëm në “Centre Court”, teksa mijëra të tjerë e panë sfidën në një ekran gjigant të vendosur pranë saj, ndërkohë që me miliona të tjerë në mbarë vendin.

Pas 3 orë e 10 minutash rraskapitëse në temperatura që i kalonin 40 gradë celcius, ai arriti më në fund të ndiqte gjurmët e fitores së Fred Perry-t, në “All England Club”, në vitin 1936.

Perry, në atë kohë, u hodh mbi rrjetën ndarëse të fushës, gjatë festimeve, ndërsa kampioni i ri britanik brohoriti nga gëzimi, përpara se të gjunjëzohej në terrenin me bar të Wimbledon-it.

Sfida finale ka qenë një betejë e vërtetë, teksa Murray humbi 3 “match points”, kur gjendej 40-0, i dha 3 “break points” Djokovic me disa gjuajtje si i frikësuar, përpara se serbi të godiste topin më fortë se ç’duhej për t’i dhënë fund sfidës.

Murray u ngjit më pas në shkallët e fushës për të festuar me familjen e tij dhe ekipin mbështetës, përpara se të ecte me trofeun rreth e qark “Centre Court”.

Top Channel