Raikkonen: Unë tek Red Bull? Nuk i dihet

07/07/2013 12:50

Piloti i Lotusit në Formulën 1, Kimi Raikkonen, vazhdon të mos zbulojë asgjë rreth të ardhmes së tij, ndonëse prej disa ditësh përflitet gjithmonë e më shumë mundësia e kalimit të tij në timonin e Red Bullit që Mark Ëebber do të lërë të boshatisur me tërheqjen e tij.

”Nuk kam asnjë ide rreth të ardhmes time. Është e qartë që do të marr një vendim në momentin e përshtatshëm, por në këtë moment ka edhe shumë gjëra të tjera që duhet të qartësohen. Gjërat e mira duan kohë që të ndodhin, por në këtë moment, nuk kam në mendje as projekte, as ide dhe as data limit”, deklaroi finlandezi, në vendin e tretë të renditjes së përgjithshme të Botërorit, pas tetë garave të para.

Raikkonen, i cili në garën e Gjermanisë do të niset nga vendi i katërt, shtoi: “Ajo që mua më mjafton është që e di shumë mirë brenda vetes se çfarë dua të bëj. Çdo skuadër është e ndryshme dhe kudo që të ndodhesh përpiqesh gjithmonë të bësh më të mirën. Pa dyshim, ndonjëherë edhe nuk arrin t’ia dalësh, por kjo është normale, pasi kjo botë nuk është perfekte”.

Top Channel