Andrea Stefani – Përmasat e pazakonta të fitores së opozitës së majtë në
votimet e 23 qershorit e bëjnë shumë të rëndësishme, për zhvillimet e
ardhshme politike, të hulumtohet e të kuptohet se çfarë ka pasur në
mendje shumica dërrmuese e shqiptarëve kur hidhte votën kundër Sali
Berishës dhe qeverisë së tij “demokratike”.
Kanë votuar kundër autokratizmit, përqendrimit të pushteteve, liderit dhe pushtetarit të përjetshëm? Apo kanë votuar kundër varfërisë, papunësisë, frikës nga kriminaliteti në rritje? Mos ndoshta kanë votuar kundër korrupsionit galopant të qeveritarëve? Apo mos vota kundër është jo indinjatë ndaj dështimeve të qeverisë, autokratizmit apo korrupsionit të saj, por thjesht rrjedhojë e një taktike të gabuar të ndjekur nga Berisha në fushatë? E në qoftë kështu, mos vallë edhe fitorja e opozitës është rrjedhojë e një keqkuptimi, e mashtrimit të elektoratit nga ca premtime të ekzagjeruara të opozitës që paskan eklipsuar arritjet faraonike të qeverisë dhe kanë mashtruar sovranin?
***
Në të gjitha analizat e derisotme të votës së 23 qershorit, gjen pak nga të gjitha këto. Ka zëra që thonë se nuk u votua opozita po u kundërvotua Berisha. Pra, se kemi më shumë një votë kundër qeverisë sesa një votë pro opozitës. Diskutimi në këtë rrafsh, nuk mund të mos bëhet tepër skolastik dhe pa ndonjë vlerë praktike. Sepse është njësoj si të thuash se një transaksion në treg është vetëm blerje dhe jo shitje, apo anasjelltas, në një kohë që ai nuk mund të mos i ketë të dyja, edhe blerjen, por edhe shitjen. Ndërkaq, qeveria dhe shumica në ikje, kanë qenë më të nxituara të japin shpjegimet e veta për disfatën duke e komentuar, në thelb, si për një shuplakë të pamerituar. Vetë Berisha, në fjalën e tij të dorëheqjes, u përpoq të shiste disfatën si kosto e një “sinqeriteti” dhe realizmi në premtime nga ana e qeverisë, përballë premtimeve të ekzagjeruara të opozitës. Zëra të tjerë në PD dhe në mediat pranë saj, kanë pretenduar se humbja erdhi jo ngaqë u votua PS-ja dhe Edi Rama, por LSI-ja dhe Ilir Meta. Pastaj dikush tjetër shton se kjo e fundit, LSI-ja, nuk i fitoi, por i bleu votat. Shkurt, humbësit e këtyre zgjedhjeve po thonë se nuk janë humbës realë, por viktima të një mashtrimi apo të një keqkuptimi. Dhe nuk ka më keq për një parti apo koalicion kur nuk është në gjendje, nuk ka kurajën apo nuk do të zbulojë, rrënjët e vërteta të disfatës së saj.
***
Nuk ka asnjë dyshim se faktori ekonomik, kriza në thellim (që Berisha e mohonte duke propaganduar se nuk na ka prekur) dhe pasojat e saj, kanë pasur ndikim në votën e shqiptarëve. Po ashtu papunësia dhe varfëria kronike. Ka pasur ndikim edhe korrupsioni në rritje, si dhe zhgënjimi nga premtimi i pambajtur e qeverisjes “me duar të pastra”. Mund të numërohen edhe jo pak të tjerë. Por faktori kryesor ka qenë një nevojë në zgjerim për të larguar nga pushteti një lider dhe një parti që po kërkonin të përjetësoheshin në një pushtet që po bëhej gjithnjë e më absolut dhe i rrezikshëm për sistemin e lirisë dhe demokracisë. Është e vërtetë, se jo shumë shqiptarë e kuptojnë dëmin që u vjen lirive dhe të drejtave të tyre nga kapja dhe përqendrimi i pushteteve nga kryeministri. Pak e kuptojnë se sa e pashëndetshme është që Presidenti i Republikës të jetë besnik i kryeministrit dhe jo i Kushtetutës d.m.th., i publikut. Pak e kuptojnë rëndësinë e gjykatësve të pavarur nga qeveria dhe politika në tërësi. E megjithatë jo pak e kanë vuajtur në këta vjet degjenerimin e gjykatave, korruptimin e gjykatësve dhe avokatëve. Jo pak kanë vuajtur si hall të përditshëm mungesën e shtetit ligjor, nëpërkëmbjen e ligjit dhe të drejtave qytetare nga pushtete të padrejta kur janë flakur nga puna, kur u është dhunuar biznesi apo nuk u është kthyer prona dhe nuk kanë pasur ku të ankohen, ku të rigjejnë të drejtën e mohuar. Dhe kjo praktikë e hidhur e sfilitëse ka kompensuar mangësitë teorike, duke i bërë të kuptojnë intuitivisht, se pushtetet bëhen të plotfuqishme jo vetëm kur përlajnë shtetin, por edhe kur jetëgjatësohen pa fund. Bashkë me hallet e tyre që nuk gjetën kurrë zgjidhje, sfilitja u shndërrua në zemërim dhe zemërimi në votë kundër një qeverisje dhe një lideri autokrat që kishte instaluar në shtet modelin e padrejtësisë. Kupa u mbush dhe u derdh kur pushteti vrau me gjakftohtësi në emër të pushtetit më 21 janar, kur la të digjen dhe të vdesin në uri të përndjekurit politikë. Pas ftohtësisë dhe arrogancës së pushtetit, shqiptarët panë dhe ndien kërcënimin e një regjimi!
***
Më 23 qershor shqiptarët nuk janë mashtruar. Më 23 qershor shqiptarët u shfaqën më të emancipuar. Kush orvatet që disfatën e vet ta paraqesë, sikundër në fakt po bën PD-ja dhe Berisha, si pasojë të një mashtrimi nuk bën gjë tjetër veçse mashtron vetveten. Dhe përgatit disfatën e ardhshme. Sepse, më 23 qershor shqiptarët kanë refuzuar, plebishitarisht, modelin e liderit dhe pushtetit të përjetshëm. Me votën e tyre kanë kryer rotacionin e plotë të pushteteve duke hapur dyert e një e epoke demokratike ku rotacioni politik nuk është më një rast fatlum, por një fatalitet, pra i pashmangshëm. Më 23 qershor ka marrë fund modeli neokomunist i pushteteve dhe liderëve pa mbarim. Dhe kushdo që do të përpiqet ta mbajë në këmbë një model të tillë, në emër të gjoja një trashëgimie të shkëlqyer dhe të një lideri të pa zëvendësueshëm, duhet ta ketë të qartë se investon shpresat dhe ardhmërinë, në mënyrë donkishoteske, në një të shkuar që nuk kthehet dot më në kundërshtim me gjithçka që sot aspirojnë shqiptarët, me lirinë, drejtësinë, demokracinë dhe integrimin në Europë. Dhe si i tillë, nuk mund të mos mbetet në anën e gabuar të kurbës historike. Disfata e 23 qershorit nuk është vetëm disfata e Sali Berishës, ajo është disfata e autokratizmit, e mendësisë autokratike, e autokratizmit si gjakim. E tillë është edhe fitorja.
Top Channel