Uimbëlldoni, Djokoviç në finale pas një “thrilleri”

05/07/2013 19:45

Numri një në botë i tenisit botëror, Novak Djokovic, siguroi një vend në finalen e Uimbëlldonit, pas një gjysmëfinale “thriller” me numrin tetë, argjentinasin Del Potro.

Në rolin e sfidantit, Del Potro i dha jetë një prej ndeshjeve më spektakolare në historinë e Grand Slaemit, duke u dorëzuar në setin e pestë, vetëm pas katër orë e 44 minutash lojë.

Ndeshja nisi mirë për serbin, i cili ndonëse me vështirësi, arriti të fitonte setin e parë 7-5. Del Potro u përgjigj në setin e dytë duke fituar 4-6, ndërsa i pari serbi dhe i dyti rivali i tij, fituan dy setet pasardhës me “tie-break”.

Del Potro arriti të siguronte një set të pestë duke eliminuar dy “match-point” të numrit një në botë në setin e katërt, të fituar në “tie-break” me katër pikë radhazi prej argjentinasit.

Në setin vendimtar, ndeshja vazhdoi të ishte e barazpeshuar deri në 4-3, kur në shërbimin e argjentinasit, Djokoviç arriti të merrte një “break-point” dhe të mbronte fitoren me shërbimin e tij në gejmin përcaktues.

Top Channel