
Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) i ka imponuar të gjitha skuderive disa kushte për përdorimin e gomave Pirelli duke marrë shkas nga incidentet e shumta që ndodhën në garën e Silverstonit.
Paraditen e së premtes FIA ka shpërndarë një njoftim për ekipet ku ka bërë të qartë vlerat minimale dhe maksimale të presionit të gomave dhe ku ndalon që gomat të montohen në mënyrë inverse (e majta në të djathtë dhe e djathta në të majtë.)
“Për arsye sigurie, Pirelli na ka kërkuar që të gjitha gomat të përdoren në disa kushte të caktuara. Cdo ekip duhet t’i përmbahet këtyre kushteve”, lexohet në njoftim.
Ky njoftim vjen pas kërcënimit të pilotëve për ndërprerje të garës së Nurburgringut nëse do të shfaqen sërish problemet e garës së Silverstonit.
Në Angli shpërtheu goma e pasme e majtë e makinave të Hamilton, Massa, Vergne, Gutierrez dhe Perez.
Pirelli u justifikua se arsyeja e këtyre incidenteve ishte ndër të tjera montimi invers i gomave dhe presioni i ulët e tyre.
Top Channel