Gjergj Erebara – Të rinjtë që qajnë për kreun e larguar dhe të palarguar
të demokratëve Sali Berisha, duket se nuk e dinë, nuk e mbajnë mend apo
nuk e kanë mësuar kurrë se çfarë ka ndodhur në njëzet vitet e fundit me
këtë parti. Vetë partia ka frikë nga historia.
(Këtë frikë e kanë edhe partitë e tjera, të cilat kurrë nuk kanë marrë mundimin të shkruajnë diçka të ngjashme me historinë e vet). Në faqen zyrtare të Partisë Demokratike gjendet vetëm një biografi e Sali Berishës dhe asgjë tjetër. Tetë vitet e qëndrimit në opozitë 1997-2005, nuk janë shënuar asgjëkundi. Kryetarët rastësorë të partisë, të cilët qenë të detyrueshëm vetëm e vetëm se presidentit nuk i lejohej të ishte edhe kryetar partie de jure, nuk përmenden gjithashtu. Madje, as Azem Hajdari nuk gjendet gjëkundi.
Por ajo çfarë nuk duhet të humbasë kurrsesi, pavarësisht se protagonistët e saj tentojnë ta harrojnë, qe gara për kryetar partie në vitin 1999, (shtator, n.q.s. nuk e mbaj mend gabim). Qe hera e parë dhe e fundit që në dy partitë e mëdha PD dhe PS, pati një si lloj përplasjeje brezash. Të lodhur nga kriza e gjatë ekonomike dhe nga viti 1997, nga përplasjet e dhunshme më 1998 në Tiranë dhe nga politika konfliktuale, një pjesë e shqiptarëve panë me shpresë te betejat për kryetar partie. Në atë kohë, rrëzimi i një kryetari partie me votë nga vetë anëtarët e partisë nuk qe një gjë kaq e paimagjinueshme në Shqipëri, siç është sot. Nuk po them se ishte e lehtë. Por më pak se një dekadë pas rënies së komunizmit, shpresa qe e gjallë se vendi mund të ecte përpara. Partia Socialiste e pati dhënë shembullin e para, duke i refuzuar babait të tyre Ramiz Alia një rikthim në politikë pasi ky i fundit doli nga burgu. Për ironi të fatit, brezi i ri i socialistëve i tha Alisë se duhej ta niste karrierën politike si fëmijë, duke u angazhuar në këshillin e PS-së së lagjes ku banonte.
Shkurt, Nano qe i sfiduar në Partinë Socialiste nga Pandeli Majko, në atë kohë kryeministri më i ri në Europë, që pati fituar simpati gjatë Luftës së Kosovës.
Berisha qe më pak, ose shumë më pak i sfiduar nga Genc Pollo. U fol gjerësisht në atë kohë se Berisha qëllimisht e përcaktoi datën e kongresit të vet dy muaj para kongresit të socialistëve, për t’i dhënë një dorë ndihme Fatos Nanos, i cili me karakterin e tij prej qejfliu, qe larguar nga partia për t’u rikthyer me një varg takimesh në bazë të llojit “gju më gju” me popullin. Binomi i armiqësisë miqësore Nano-Berisha funksionoi si një duopol.
Megjithëse Pollo nuk kishte asnjë shans, fakti që ai kandidoi, siç duket, pa lejen e Berishës, mjaftoi që ai të shpallej armik. Gazetat militante të Berishës nisën një fushatë shpifjesh kundër tij, duke argumentuar mes të tjerash se ai, si ortodoks, qe armik, jo vetëm i Berishës, por i atdheut. U tha mes të tjerash se gjyshi i tij pati qenë andart grek. Shkurt, kundër Pollos u zbraz i gjithë zemërimi i Berishës. Pollo u detyrua t’ia mbathë nga një parti ku ligjin e bënin gangsterët badigardë të Berishës, të cilët jo çuditërisht në shumicë qenë nga Tropoja. PD si një parti e qeverisur nga Berisha përmes dhunës së badigardëve, një skenë të cilën mund ta kuptosh më mirë duke lexuar Fermën e Kafshëve të George Orëell, nuk kishte vend për njerëz që kishin shkaktuar qoftë edhe pa dashje pakënaqësi te Berisha.
Pollo krijoi një parti të vetën, mori ndihmë me shumicë nga socialistët, por vendosi edhe një precedent shumë të vlefshëm për politikën shqiptare në vitin 2001. Partia e tij konkurroi me një “listë të hapur” kandidatësh, ku rregulli ishte që kandidati që merrte më shumë vota në zonën e tij elektorale, ngjitej automatikisht i pari në listë. Kjo marrëveshje u replika nga shumë parti të tjera të vogla, por asnjëherë nga partitë e mëdha, deri sa Berisha nënshkroi një marrëveshje me Ramën për të rivendosur edhe një herë sistemin e unit në qeverisjen e partive politike dhe rrjedhimisht, edhe vendit tonë.
Pasi PD i shpërndau ftesat për pjesëmarrjen në kongres me parimin: kush është me Berishën ftohet të votojë dhe kush nuk është, nuk ftohet, pati edhe një element tjetër që e ruajti autokracinë te kjo parti. Në zgjedhjet e kryesisë, të gjithë kandidatët u votuan nominalisht, një më një. Një skemë e njohur kjo për të eliminuar me një të rënë të lapsit të gjithë grupimet që nuk kanë simpatinë e kryetarit. Aleksandër Meksi propozoi në një rast që delegatët të kishin vetëm një votë, d.m.th. një delegat – një votë. Ideja qe që nëse një grupim kishte 40 për qind të delegatëve, të mund të merrte 40 për qind të kryesisë. Metoda e zbatuar, ku të gjithë delegatët votonin një për një për të gjithë kandidatët për anëtar kryesie, praktikisht ata votonin siç votonte Berisha. Rrjedhimisht, nuk kishte vend në këtë parti për ata që nuk kishin simpatinë e Berishës. Edhe një gazetë e djathtë, që zgjodhi të mbajë anën e humbësit në garën e vitit 1999, humbi simpatinë e Berishës, rrjedhimisht shkoi drejt mbylljes.
Dje, Aleksandër Biberaj shkoi të dorëzojë “dosjen” e kandidimit të vet për kryetar të PD-së. Nuk u la nga roja të hyjë te dera.
M’u kujtuan të gjitha këto kur në mënyrë shumë ironike, Berisha na shpalli se në partinë e tij personale, do të ketë zgjedhje me parimin “një anëtar – një votë” për kryetarin e ardhshëm. Do të duhet të jesh naiv deri në budalla të besosh se diçka e tillë mund të ndodhë realisht. Dhe duke qenë se ai vetë do të jetë anëtar, më ngjan se do të jetë edhe e vetmja votë. Gjithsesi, u deshën më shumë se 14 vite që PD të tentonte të kishte dy kandidatë në garë dhe këta dy kandidatë nuk e kanë emrin, njëri Sali dhe tjetri Berishë. Ndoshta duhet të kënaqemi me kaq.
M’u kujtua edhe një koment i një mjeku të nderuar të Tiranës, i cili më tha se as në votimet në Partinë e Punës, dega e spitalit, kur Berisha u zgjodh sekretar në rininë e vet politike, nuk pati fituar pa garë dhe nuk pati fituar me 99.99 për qind të votave. PD ngjan më pak demokratike se sa vetë Partia e Punës.
Gazeta “Shqip”
Top Channel