F1, Rosberg: Pirelli di çfarë bën

04/07/2013 15:50

Nico Rosberg, fituesi i garës së Silverstonit, ka folur për çështjen “Pirelli” duke thënë se kompania e gomave “do të ketë gjithçka nën kontroll” në Nurburgring, pistën ku do të zhvillohet gara e radhës e Formulës 1.

“Kam besim se Pirelli do të marrë vendimin e duhur. Do të kenë gjithçka nën kontroll dhe nuk do të ketë asnjë problem me gomat në Gjermani”, theksoi piloti i Mercedes.

“Mezi po pres të zbres në pistë pasi për momentin kemi një makinë shumë kompetitive”, shtoi Rosberg.

Më pesimist u tregua shoku i tij i skuadrës, Lewis Hamilton, i cili për shkak të shpërthimit të gomës së pasme u detyrua të humbte vendin e parë në Silverstone, kur dukej se gjithçka po shkonte shkëlqyeshëm për të.

“Mendoj se gomat do të vazhdojnë të mbeten një shqetësim për ne. Vetëm kur të zbresim në pistë do e kuptojmë gjendjen”, tha britaniku.

Cmimi i Madh i Gjermanisë do të zhvillohet këtë fundjavë në pistën e Nurburgringut dhe mund ta ndiqni drejtpërdrejtë në Top Channel. Provat zyrtare të shtunën në orën 14:00 dhe gara të dielën në të njëjtën orë.

Top Channel