Mark Cavendish dëshmoi se vazhdon të jetë mbret i sprintit, ndërsa fitoi në 5 orë, 31 minuta e 51 sekonda etapën e pestë të Turit të Francës, Cagnes-Sur-Mer deri në Marsejë, e gjatë 228 kilometra.
Një etapë me disa ngjitje të lehta, por me një finish të gjatë në dishezë, ajo e së mërkurës i dha jetë një spektaklti të veçantë, ndërsa Cavendish mposhti në sprintin final specialistë të mirënjohur të kësaj faze të garës, si Sagan, Greipel apo Gerrans.
Fituesi i etapës së tretë, australiani Gerrans, ishte në gjendje që të kryesonte një grup të shkëputur, 41 kilometra nga finishi, por diferenca që i thellua deri në një minutë e gjysmë, rezultoi e pamjaftueshme për t’i shpëtuar “thithjes” nga grupi i madh në tre kilometrat e fundit.
Megjithatë, ndonëse nuk arriti të fitonte etapën, Gerrans përfundoi me kohë të njëjtë me Cavendish dhe vazhdon të ruajë fanelën e verdhë të kryesuesit edhe një ditë më shumë.
Turi i Francës, një eksluzivitet i “Top-Channel”, po transmetohet në mënyrë të përditshme në ekranin tonë pas edicionit të lajmeve të orës 15:00.
Top Channel