Zamira Çavo – Arsimimi i shoqërisë është padyshim nevoja e vazhdueshme e një shoqërie për t’u demokratizuar, por edhe e një kombi për t’u zhvilluar. Nisur nga ky fakt, del qartazi se, arsimi është një proces që i hap rrugën së nesërmes së vendit dhe garanton një të sotme më të mirë. Si i tillë arsimi duhet të mbajë parasysh dy parime themelore: Së pari edukimin, dhe së dyti arsimimin.
Për të mos u lënë kohë kritikëve që të më tregojnë se çdo arsimim është në vetvete edukim, dua të shpjegoj faktin se të dyja konceptet janë dhe duhet të jenë, në punën tonë, realisht të përcaktuara mirë: edukimi si një proces i zhvillimit të personalitetit, dhe arsimimi, si një proces i zhvillimit mental të subjektit. Por sigurisht që këto koncepte në praktikën tonë nuk ndahen me thikë, e madje as që nuk duhet të ndahen. Ajo që vlen të vihet në dukje është sesa ne i mbajmë parasysh këto në sistemin tonë arsimor.
Shqipëria ka 22 vjet që mbështetet në reforma arsimore që zëvendësojnë njëra-tjetrën, pa arritur asnjëherë të bëhet analiza e dështimit apo arritjeve të secilës prej tyre. Arsimi shqiptar ka vuajtur, më shumë se çdo sektor tjetër, populizimin e politikës dhe mungesën e standardeve. Në këto kushte sot ky sistem është ndër më të kritikuarit nga institucionet ndërkombëtare. Por pavarësisht kësaj tabloje, që çdo lexues e ka të qartë, them se sistemi arsimor ka nevojë për revolucion konceptual. Jetojmë në shekullin e 21, ku fëmijët mësohen me teknologjinë e informacionit (me celularin, kompjuterin e gjithçka tjetër), shumë më shpejt se sa të rriturit. Ky fakt mendoj se ka ndryshuar dhe mënyrën e marrjes së njohurive nga nxënësi. Më konkretisht: nga një vëzhgim në disa shkolla rezulton se ankesat e mësuesve sot, janë për:
– mospërqendrimin sa duhet të nxënësit në orën e mësimit;
– përdorimin e celularit në provime;
– mosleximin e librave që rekomandohen;
– shpërdorimin e kohës nëpër rrjetet sociale;
– marrjen me “presion” të notave etj.
Është e pamundur të mos kuptosh menjëherë që kemi të bëjmë me një kontradiktë të madhe mes asaj që kërkojmë ne si mësues dhe asaj çka po ndodh realisht me nxënësit tanë.
Nxënësi është bërë më i padurueshëm gjatë orës së mësimit, pasi sasia e informacionit që merr dhe mënyra se si e merr, ka mbetur shumë prapa, në raport me ato njohuri që atij i duhen në jetën e përditshme. Këto njohuri, në mënyrë të sintetizuar i merr nga kompjuteri, sa herë i duhen. Madje i merr më shpejt dhe të rifreskuara. Që këtej duket qartazi se lëndët e tilla si historia, gjeografia, letërsia me pyetjet e pakuptimta se “kur ka ndodhur”, “si ka ndodhur”, “çfarë ka dashur të thotë autori” etj., etj., nuk kanë më as më të voglin interes për një nxënës që, vetëm me një klikim gjen disa përgjigje njëherësh.
Nxënësit janë larguar nga librat. Sigurisht dhe unë bëj pjesë tek ata njerëz që i vlerësoj librat më shumë se një thesar, por ama mos harrojmë se teknologjia e sotme të krijon me mijëra mundësi për të lexuar, për të zgjedhur dhe mbi të gjitha për të shkurtuar kohën e leximit. Ndërkohë presioni që bëhet për notat është i madh, sepse diploma, në shoqërinë tonë ende të pazhvilluar, konsiderohet si mjeti i “mrekullisë” për të gjetur një vend pune, “pa punë”! Ndaj prindërit ushtrojnë presion te fëmijët për të marrë sa më shumë nota të mira, me synim për të marrë një diplomë që është fortësisht e dëshirueshme në jetën shqiptare.
Sikundër shihet, modeli i të mësuarit ka ngecur mes papërgjegjshmërisë së sistemit tonë arsimor, teknologjisë, që ka hyrë vrullshëm në jetën tonë, dhe realitetit shqiptar të zhytur në pasivitet. Nuk është punë ligjesh, është punë e një rikonceptimi të të gjithë procesit që duhet të zërë fill që në sistemin parashkollor. Në thelbin e këtij revolucioni duhet të qëndrojë liria. Ndaj kur më sipër fola për edukimin dhe arsimimin, pata parasysh këto mendime, që kanë të bëjnë me lirinë!
Fëmijët në shekullin e 21 duhen mësuar të jenë të lirë, të formojnë personalitetin e tyre, të arrijnë të kuptojnë aftësitë dhe pasionet e tyre. Pra fëmijët në edukimin e tyre fillestar duhet të jenë të lirë për të mësuar të mendojnë vetë dhe të tolerojnë. Vetëm në këtë mënyrë fëmijët do të mësojnë të kuptojnë se çfarë u pëlqen të bëjnë dhe do të krijojnë mundësinë për t’iu përkushtuar më tej studimit në atë fushë. Pra një rikonceptim i edukimit, krijojnë mundësira të mëdha për arsimimin. Ndërkohë një brez i mësuar të mendojë lirisht, të tolerojë dhe të kuptojë aftësitë e dëshirat e veta, është i aftë të ndërtojë një model të tijin, të përshtatet në realitetin e tregut dhe të jetës shoqërore. Kjo besoj se duhet të jetë rruga e ndërtimit të sistemit tonë arsimor. Çdo individ, sipas prirjeve dhe dëshirave të tij, merr më tej dhe shkallët e tjera të arsimimit.
Por si në çdo fushë tjetër, edukimi dhe arsimi përshkojnë një rreth që quhet vicioz. Që të arrihet një edukim i tillë në sistemin parashkollor, lipset të ndërtohet kurrikul e veçantë në sistemin universitar e pasuniversitar që të mundësojë e të kuptojë qëllimin e edukimit dhe të mos imponohet me metodologjinë e vjetër “të bëjë kështu se e di unë”.
Nga dhjetëra eksperimente që janë bërë sot nga disa universitete me emër në botë, rezulton se sa më e madhe liria e individit në punë, sa më shumë ai priret të punojë me dëshirë dhe pasion aq më e madhe është dhe shkalla e produktivitetit. Sipas këtyre studimeve, është konstatuar se individi promovohet më shumë në punë, jo duke e vlerësuar materialisht sesa duke e lënë të lirë të veprojë sipas asaj që ai e dëshiron apo e ka pasion. Por që të arrihet deri këtu, duhet edukuar për të qenë i tillë. Pas 20 vjetësh brezi i fëmijëve të sotëm do të jetë brezi i zotërimit të aftësive të mëdha zhvilluese të vendit. Nëse nuk e kuptojmë që tani këtë, do të gjendemi para vështirësive dhe të papriturave që ndeshim sot. Kur hymë në rrugën e demokracisë, brezi i atëhershëm i të sapolindurve, është sot brezi nervor i shoqërisë sonë, brezi i 20-vjeçarëve. Dhe ku jemi? Këtë e shikojmë të gjithë. Nëse nuk e kemi mësuar demokracinë, është faji ynë, nëse nuk kemi mësuar të tolerojmë sërish është faji ynë, dhe nëse vazhdojmë të ushqejmë një sistem arsimor anakronik me stafe larg standardeve dhe me populizim e partitizëm ekstrem, do të jemi fajtorët kryesorë të një shoqërie gjysmake e me probleme të mëdha. Gjithsesi arsimi është një fushë e gjerë, ku secili ka shumë për të thënë. Por arsimi kërkon revolucion.
Top Channel